Ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov deklaroi sot në takimin me sekretarin amerikan të shtetit Reks Tilerson në Moskë se sulmet e SHBA-së ndaj bazës ushtarake të aviacionit në Siri paraqesin shkelje të të drejtave dhe se është e rëndësishme të mos lejohet të përsëriten.
“Me rëndësi është të dimë cili është qëndrimi juaj, qëndrimi i SHBA-së dhe cilat janë qëllimet e vërteta të administratës amerikane”, theksoi Lavrov në fillim të takimit me Tilerson, i cili sot pi qëndron për vizitë zyrtaren në Moskë. Shefi i diplomacisë ruse i theksoi kolegut të tij amerikan se dëshiron bisedime të sinqerta dhe të ndershme për formimin e koalicionit antiterrorist.
“Disa herë theksuam se jemi të gatshëm për dialog konstruktiv në bazë të barabartë me SHBA-në”, përkujtoi Lavrov duke porositur se Moska angazhohet për aksion kolektiv. Tilerson në takim theksoi se linjat për komunikim midis SHBA-së dhe Rusisë çdoherë do të mbesin të hapura, duke vlerësuar se takimi i sotëm mbahet në një moment të rëndësishëm me qëllim që Uashingtoni dhe Moska t’i saktësojnë fushat në interes të përbashkët.
Sekretari amerikan i shtetit potencoi se “kjo zbatohet madje edhe kur taktikat janë të ndryshme”. “Dëshirojmë t’i saktësojmë fushat në të cilat ekzistojnë dallime të ashpra në qëndrimet me qëllim që të kuptojmë pse ato ekzistojnë dhe cilat janë shanset për uljen e atyre dallimeve”, sqaroi Tilerson. Ai theksoi se gëzohet në bisedimet e hapura, të ndershme dhe të sinqerta që më mirë të definohen marrëdhëniet amerikane-ruse.