Baku, 11 maj – Moska ka propozuar të diskutohet për kontrollin e armëve dhe çështjet e sigurisë në një takim eventual midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Xho Bajden, deklaroi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov.
Lavrov tha se Moska ende është duke pritur për një përgjigje nga Uashingtoni mbi samitin e propozuar të dy liderëve.
Ambasadori amerikan për çarmatimin Robert Vud tha se përgatitjet për bisedime midis dy udhëheqësve janë në proces e sipër.
“Bajden dhe Putin kanë rënë dakord të marrin në konsideratë bisedimet për stabilitet strategjik mbi kontrollin e armëve dhe çështjet e sigurisë”, tha ai në një konferencë virtuale për çarmatim të Kombeve të Bashkuara.