Moskë, 24 shkurt – Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov sot paralajmëroi një seri të re konsultimesh për situatën në provincën siriane Idlib. “Në përgatitje është edhe një seri konsultimesh dhe shpresojmë se do të na ndihmojnë të arrijmë marrëveshje për atë se si mund të sigurojmë të bëhet një zonë deeskalimi, ku terroristët nuk do të sundojnë,” theksoi Lavrov.
Ai shtoi se ushtria turke në Idlib e kupton që në zonën e deeskalimit po bëhet luftë kundër terroristëve.
“Askush nuk është pajtuar ndonjëherë në kuadrin e marrëveshjeve të arritura midis presidentit të Rusisë dhe Turqisë që nuk do të kryhen kundërsulme kundër terroristëve nëse përpiqen të veprojnë ashtu siç veprojnë”, theksoi Lavrov.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan javën e kaluar deklaroi se shpreson të takohet me liderët e Rusisë, Gjermanisë dhe Francës dhe të diskutojë për situatën në provincën siriane Idlib. Ai shtoi se takimi mund të organizohej në Stamboll.
Situata në provincën Idlib u përkeqësua nga fundi i janarit kur ushtria siriane nisi një ofensivë kundër ekstremistëve, të cilët e shkelën armëpushimin. Moska shumë herë ka shprehur mbështetje për veprimet antiterroriste, ndërsa Ankaraja pretendon se ushtria siriane e ka shkelur marrëveshjen e paqësore të Soçit.(koha.mk)