Moskë, 9 prill – Ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov deklaroi sot se ekspertë rusë nuk kanë gjetur gjurmë nga sulmi kimik në qytetin sirian Duma. Deklaratën e dha pasi një numër i madh i shteteve akuzuan për sulmin kimik në këtë qytet që është nën kontroll të kryengritësve në Siri.
“Ekspertë tanë ushtarak e vizituan vendin…dhe nuk gjetën kurrfarë gjurmë nga klorini ose çfarëdo substance tjetër kimike që është përdorur kundër civilëve”, deklaroi Lavrov.
Presidenti amerikan Donald Tramp dje e dënoi sulmin kimik në Siri dhe theksoi se presidenti sirian Bashar al Asad do të paguajë “çmim të lartë” për këtë.
Tramp shtoi se “në sulmin e çmendur kimik” ka shumë viktima, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Të paktën 70 persona janë vrarë në sulmin me armë kimike në qytetin, i cili është nën kontroll të kryengritësve në Siri, Duma, njoftuan dje organizatat shpëtuese dhe mjekë, ndërsa Qeveria siriane informatat për këtë sulm i quajti “shpifje”, njofton Bi-Bi-Si.
Agjenci të tjera botërore njoftuan se numri i viktimave është rreth 40 viktima.
Bi-Bi-Si thekson se tani për tani askush pavarësisht nuk i ka konfirmuar informatat për sulm me armë kimike.