Mania për të nuhatur pushtetin është e vjetër, aq sa janë të vjetra ambiciet njerëzve për të rrëmbyer trofetë e fitores pa qenë prezent në garë
Nga Emin AZEMI
Kjo puna e aderimeve në Kosovë ka filluar të bëhet shumë zbavitëse. Nëse iu ka marrë malli për ndonjë person që s’e keni parë disa vite, zjarrmia e ç’malljes do t’iu kaplojë teksa e shihni në krah të liderit partiak. Sa shumë dëshirë keni që edhe ju të jeni aty pranë dhe ta prekni me dorë këtë moment ngazëllyes, mirëpo merita për të qenë i përzgjedhur kësaj radhe i takon vetëm atij që ti s’e ke pa me vite. Sa xheloz bëhesh në liderin partiak që “ua ka marrë shokun apo shoqen” dhe për herë të parë në jetë i bie pishman pse s’u bëre edhe ti lider, të paktën për pak ditë.
Në Kosovë gati askush nga lista e facave publike nuk do me mbet jashtë listës së aderimeve. Pasi të kalojnë zgjedhjet, shumë nga këto faca do të ngelin si guraleca të vetmuar pas vërshimeve nëpër brigjet e lumenjve. Mund ta merrni me mend bregun e lumit plot me guralecë që s’i hy në punë askujt, përpos ndonjë hallexhi që kërkon ta arnojë oborrin në pjesët ku çimentoja ia ka lëshu vendin tokës.
Sigurisht që në këto vërshime aderimesh partiake, ka edhe ndonjë përjashtim. Ka ndonjë që vërtetë i mungon politikës dhe përfshirja e tij në ndonjë listë deputetësh apo funksione të tjera, i bën mirë shëndetit publik e institucional. Fundja asgjë s’ka të keqe nëse dikush me vetdëshirë bëhet pjesë e politikave që kërkojnë ndryshime në të ardhmen. Të tillët madje i ke patur aktiv, në forma të ndryshme, por që nuk kanë qenë të ngjyrosur partiakisht dhe askush nuk do të befasohet nëse i sheh të aderojnë dikund.
Por çka të bëhet me një tufë tjetër aderuesish, të cilët bëhen të gjallë vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve. Ata jo vetëm që kanë qenë indiferent mbi zhvillimet politike, por nuk kanë bërë as veprimin më të vockël që gjërat të ndryshojnë në të mirë. Mirëpo, mania për të nuhatur pushtetin është e vjetër, aq sa janë të vjetra ambiciet njerëzve për të rrëmbyer trofetë e fitores pa qenë prezent në garë.
Tash së fundmi po i shohim disa faca të njëjta, të cilët aderimet në partinë e re po i bëjnë duke hedhur gurë e dru mbi partinë e vjetër. Pritjet e tyre kanë qenë aq të mëdha nga partia e vjetër, sa që tani presin që partia e re do t’ua kompensojë të gjitha dëshpërimet dhe zhgënjimet. Kjo specie e gërditshme që sillet e pështillet si pordha nëpër tirçi, e ka vështirë ta kuptojë se sa të parëndësishëm janë ata në gjithë këtë garë të madhe. Ata e kanë vështirë ta kuptojnë se fama që gëzojnë në lagjen apo katundin e tyre është si një brymë mëngjesi që shkrihet posa të mbërrij rrezja e fortë e konkurrencës.
Kur i sheh gjithë këto aderime, njeriu e ka vështirë të gëzohet apo të hidhërohet. Nëse dikush gëzohet se po ndodhin plot aderime, atëherë shtrohet pyetja se mbi cilat parime po bëhen këto aderime dhe sa prej të aderuarve i kanë lexuar programet e partive aderuese.
“Lavanderia” e aderimeve partiake në Kosovë nuk ka qenë gjithmonë e ndjekur nga “higjiena” për të vendosur kritere mbi të cilat do të krijoheshin politikat e mirëfillta kadrovike. Kjo mbase është arsyeja se pse sot skenën politike të Kosovës e ke kaq të ndotur nga mungesa e etikës së komunikimeve dhe qëndrimeve parimore, si në institucione, ashtu edhe në jetën e përgjithshme publike. (koha.mk)