Të gjithë e dinin që kishte talent, por pakkush e priste që të shfaqej në këto nivele. Lautaro Martinez ka qenë i jashtëzakonshëm për Interin në këtë sezon e nuk është aspak çudi që tani klubet më të mëdha në kontinent kanë hedhur sytë nga argjentinasi.
Shifrat flasin qartë. Martinez po kalon momentin më të mirë të karrierës dhe po gjen rrjetën me një rregullsi mbresëlënëse. Mjafton të shohësh që në 3 ndeshjet e fundit zyrtare, ai ka tundur 5 herë rrjetën, duke u bërë protagonist absolut i ecurisë si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Deri tani, bilanci i tij flet për 8 gola në kampionat dhe 5 në Ligën e Kampioneve, duke kaluar shpesh Lukakun i cili ka qenë më vendimtar në Serinë A me 10 gola, por ka gjetur më pak rrjetën në Europë, vetëm 1 herë.
Ajo që bie në sy është fakti se si Lautaro Martinez tashmë është një furi e vërtetë sa hyn në fushën e lojës. Nga 8 golat e shënuar në kampionat, 6 kanë qenë në 30 minutat e parë të ndeshjeve. E njëjta gjë është në Ligën e Kampioneve, ku 4 nga 5 golat e shënuar janë po në të njëjtat minuta. Ndaj nofka “Demi” nuk duket se i është vënë rastësisht, pasi tregon furinë me të cilin argjentinasi hyn në fushë e në këtë sezon po r meriton plotësisht.