Ndërsa në Milano është një Inter që po provon të marrë Edin Dzeko dhe Romelu Lukaku, në Brazil është një Lautaro Martinez që ka shënuar dy gola me kombëtaren argjentinase në Kupën e Amerikës (kundër Venezuelës dhe Katarit: një më shumë se Messi dhe Aguero) dhe hedh kandidaturën për t’u bërë zgjedhja e parë në sulm e Antonio Conte-s.
Lautaro mund të jetë një vlerë e shtuar për zikaltrit në sezonin e ardhshëm jo vetëm në aspektin teknik, por edhe atë ekonomik. Sipas “Gazzetta dello Sport”, në fakt, vlera e tij është dyfishuar nga momenti i transferimit tek Inter-i, që e mori nga Racing Avellanda për 25 milionë euro.
Sot, ai vlen rreth 50 milionë euro, një shifër që mund të rritet akoma gjatë Kupës së Amerikës ose në sezonin e ardhshëm. Kjo situatë mund ta bindë Zhang që t’i përmirësojë kontratën (fiton 1.5 milionë euro në sezon aktualisht). Gjithsesi, Lautaro duhet të konfirmohet me Conte-n dhe më pas do të mund të flitet përsëri për këtë çështje.