Në jetën e përditshme, krahas muzikës ajo bën edhe shumë angazhime të tjera, mes tyre dhe aktore. Vokalin e saj shqiptarët e Maqedonisë mund të dëgjojnë në rolin e personazheve më të njohur në rolet kryesore të serialeve turke, punë që ajo e bën me shumë profesionalizëm. Ka publikuar projekte të shumta muzikore ndërkohë që flet se ka edhe shumë punë për të bërë, shumë angazhime e udhëtime, ndërkohë që në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA mund të lexoni se kush në fakt është Laura Kërliu e vërtetë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Cila është një ditë tipike e Laurës? Mund ta përshkruani një të tillë sepse ka një përshtypje se jeta e këngëtareve kalon sa nga salloni i parukerisë, tek SPA-të e më pas sërish në të njëjtin vend?
Më duket se po ngatërron modelet me këngëtaret (qesh). Në fakt këngëtaret kalojnë shumicën e kohës në studio. Sallonet e parukerisë janë jehonë e të qenit femër në radhë të parë, dhe arsyeja e dytë është presioni i medias dhe publikut ku gjithnjë duhet të dukesh e kuruar dhe e bukur, pasi publiku përveç talentit vokal, është i uritur edhe për bukuri dhe kënaqësi vizuale.
KOHA: Sërish në territorin e përshtypjes: është e vërtetë që ja vlen më shumë zëri me “kompjuter dhe CD” sesa të kënduarit live kudo dhe kurdoherë. Fundja, çfarë diference do të kishte për publikun, sipas jush?
Zëri me “kompjuter dhe CD” siç e quan ti, njihet si autotune dhe çdo këngëtarë e përdor gjatë orkestrimit të këngës. Nga ana tjetër, të kënduarit live është një eksperiencë krejt tjetër. Është e veçantë dhe sigurisht thyen barrierat mes artistit dhe publikut.
KOHA: Cilën nga koleget tuaja do të konsideronit si në krye të profesionalizmit, me të cilët do të donit të bashkëpunonit apo qoftë dhe të ishit të ngjashme?
Beyonce. Arsyet nuk ka nevojë t’i them. Ama më lejohet të ëndërroj (qesh).
KOHA: Cilët janë armiqtë tuaj?
Atletet e bardha në ditë me shi.
KOHA: Keni qenë para pak kohe në SHBA, për vizitë apo ka ndonjë surprizë për publikun që ende nuk e dimë?
Nëse do kisha një surprizë, nuk do ishte më surprizë po ta thosha (qesh). Në SHBA kisha koncertin tim të parë që ishte në organizim të Ministrisë së Kulturës. Arsyeja tjetër ishte babai. E vizitova pasi prej shumë vitesh ai jeton në USA dhe sigurisht që ishte koha të shkoja.
KOHA: Dallimi i jetës mes atje dhe këtu te ne sipas teje?
Nuk ka dallim, sepse janë të pakrahasueshme. Mentaliteti, rregulli, disiplina, kultura dhe edukata janë totalisht ndryshe. Dhe u prita aq bukur nga publiku që erdhi ne koncertin tim sa që jam pa fjale.
KOHA: Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde gjatë këtyre viteve sa je aktive në skenë?
Jam aktive me maksimumin e mundësive që kam pas punës, shkollës, familjes dhe jetës personale. Qëndroj vazhdimisht në s’kena dhe prodhoj muzikën time.
KOHA: Në këtë kuptim, sa ndryshe dhe sa e ngjashme jeni ju në profesionin e këngëtares dhe aktores?
Jam njëlloj, aspak e ndryshme. Në fund të ditës mbetem Laura dhe përtej aktores apo këngëtares jam artiste dhe performuese. Misioni im është të argëtoj publikun që më ndjek.
KOHA: Jeni mjaft aktive në rrjetet sociale, jeni gjithmonë ju mbas publikimeve në FB edhe kur jeni dukshëm “agresive”?
Ndoshta, ndoshta jo. Rrjetet e mia sociale janë vazhdimisht postime nga unë dhe menaxheri im mediatik Kevin Kola. Ai më menaxhon prej 5 vitesh, që prej konkurrimit tim në X-Factor.
KOHA: Të intereson politika shqiptare, e ndjek, të ndjek, e shijon, të neverit, të argëton, të bezdis, e njeh apo i shmangesh?
Nuk kam asnjë ide. Arti dhe politika nuk bëjnë bashkë. E keni parë Edi Ramën?
KOHA: Mes këngëtarëve, veç garës për skenën dhe çmimet në koncerte, ka dhe një garë klikimesh, aq sa kjo është mania e radhës që duket se shënjon edhe hierarkinë mes tyre. Si të duket një garë e tillë që shpesh është e fituar nga tallavaja?
Suksese produksioneve pas tallavasë. Publiku e di atë punë.
KOHA: Cilat janë befasitë që do sjellësh për publikun deri në fundvit dhe si do e filluat këtë vit?
Aktualisht po ndërtoj një projekt të ri, pasionin tim për Bachata dhe për muzikë, 2 në 1. Do të dëgjoni shumë shpejt prej meje.