Pasi te Puskas Academy nuk bëri ngritjen e pritur, Liridon Latifi ka vendosur të ndërrojë mjedis. Nga një skuadër që mezi ka shmangur rënien, ka kaluar te një skuadër që fiton rregullisht trofe dhe kërkon suksesin në Evropë.
Mesfushori 25-vjeçar të hënën ka firmosur me skuadrën e madhe nga Moldavia, Sheriff Tiraspol. Te Sheriffi ka kaluar nga Puskas Academy i Hungarisë, klub ky që edicionin e mbylli në vendin e shtatë, por me dallim fare të vogël në pikë me skuadrat e larguara nga elita hungareze.
Në gusht të vitit 2017, Latifi ishte transferuar me bujë te Puskas Academy. Këtij klubi iu bashkua pasi shkëlqeu te Skënderbeu i Korçës, ndërsa pritej që Puskasi të jetë një stacion drejt ndonjë lige të madhe evropiane. Por nuk ndodhi kështu. Në Hungari, mesfushori ka pasur telashe të dëshmojë potencialin.
Në edicionin 2017\18 luajti vetëm në 12 ndeshje, ndërsa kishte një asistim. Për Kupë të Hungarisë luajti dy ndeshje dhe realizoi një gol. Në edicionin 2018\19, Latifi kishte 17 ndeshje kampionale, ndërsa realizoi një gol e tri asistime. Për Kupë shënoi katër gola në tri ndeshje. Nuk kishte as për së afërmi ndikimin që e kishte te Skënderbeu i Korçës, kur ishte prej lojtarëve kryesorë të Superligës së Shqipërisë.(Koha Ditore)