Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga takimi me Izraelin në transfertë, për Kombëtaren shqiptare kanë nisur problemet duke qenë se ditën e sotme janë larguar nga grumbullimi mbrojtësi Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani. Shkak për këtë largim, sipas FSHF-së është bërë dëmtimi i futbollistëve në ndeshjen e fundit ndaj Jordanisë. Si Veseli, ashtu edhe Ramadani janë larguar për fazë riaftësimi.
Pa humbur kohë, trajneri Kristian Panuçi ka ftuar në Kombëtare dy futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Metzit, Ivan Balliu dhe mesfushorin Sabien Lilaj. Ky i fundit, ishte edhe në takimet e shtatorit për Ligën e Kombeve, madje ndaj Skocisë luajti si titullar, ndërsa Balliu mungonte.
“Për shkak të problemeve fizike dhe konkretisht tërheqjeve muskulore të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për të vijuar me fazën riaftësuese. Trajneri i skuadrës përfaqësuese Kristian Panuçi, ndërkohë ka kryer menjëherë zëvendësimet e duhura.
Kështu brenda ditës së sotme skuadrës do ti bashkohen mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të skuadrës kombëtare, në vigjilje të ndeshjes zyrtare të datës 14 tetor ora 20:45 në Izrael. Shqipëria sipas programit, sot ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, teksa do të ketë edhe një të dytë pasdite, por me dyer të mbyllura”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së.