Largohen prej pune 41 mësimdhënës nga Gostivari, akuzohet Taravari për revanshizëm

Gostivar, 24 janar  – Mësimdhënësit e larguar prej pune përmes një konference për shtyp të mbajtur para objektit të Komunës së Gostivarit kane shprehur revoltën e tyre për diskriminim, diferencim dhe revanshizëm nga ana e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Siç kumton dega e BDI-së në Gostivar, në emër të 41 mësimdhënësve që u larguan nga puna, para mediave u drejtua profesoresha Flora Ameti, e cila vuri ne dukje që në emër të “depolitizimit”, Taravari largoi nga puna kuadro me përvojë pune, duke u zëvendësuar me kuadro partiake.

“Jemi sot këtë për të denoncuar largimet masive nga puna nëpër shkolla nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Jemi sot këtu për të njoftuar opinionin e gjerë publik që nga shkollat e Komunës së Gostivarit u larguan nga puna, mbi dyzet mësimdhënës shqiptare. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në fushatën parazgjedhore u zotua që do të depolitizonte arsimin, dhe sot në praktike po ndodh e kundërta. Në emër të depolitizimit, largohen kuadro me nga 1, 2, 3 apo 4 vite përvojë pune, duke u zëvendësuar me kuadro partiake”, deklaroi Ameti.

Me këtë rasti, Ameti tha se largohen nga puna mësimdhënës të kualifikuar dhe me përvojë pune, dhe në vend të tyre punësohen kuadro pa përvojë pune, madje ne disa raste edhe te pa diplomuar dhe jo kompetentë.

“Kemi raste te angazhimit ne pune pa i plotësuar kriteret e parapara ligjore edhe te aktivisteve partiak dhe këshilltareve komunale nga radhët e partisë së Taravarit. Nuk mund të quhet demokratike dhe reformuese veprimi që në emër të depolitizimit të behet politizimi i institucioneve arsimore. As deklaratat e moderuara publike, nuk amnistojnë veprimet politike që bëhen në zyrën e Kryetarit të Komunës dhe drejtoreve te shkollave, emërimi i të cilëve u konstatua nga institucionet kompetente qe ishte jo-ligjore”, deklaroi Ameti.

Ameti i bën thirrje faktorit ndërkombëtar dhe institucioneve kompetente, siç është Ministria dhe Inspektorati për Arsim që të ndjekin veprimet anti-ligjore dhe me motive politike që po ndërmerren nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.