Më 30 dhjetor 1968, Kuvendi i komunës së Tetovës mbajti seancë të jashtëzakonshme në të cilën u miratuan dy konkluzione. Në konkluzionin e parë thuhej se: “të gjithë punëtorët e arsimit: profesorë, arsimtarë, mësues e të tjerë që morën pjesë aktive në demonstratat armiqësore më 22 e 23 dhjetor tu propozohen kolektivëve punuese, përkatësisht shkollave që ti përjashtojnë nga puna”. Ndërsa në konkluzioni i dytë kishte këtë përmbajtje: “Menjëherë të thirret Klubi i këshilltarëve dhe të ngrihet procedurë për marrjen e mandateve të këshilltarëve pjesëmarrës në demonstratat e 22 e 23 dhjetorit të vitit 1968 për qytetin e Tetovës”
Nga Qerim LITA
(vazhdon nga numri i kaluar)
Komiteti komunal i LKM-së në Strugë, në mbledhjen e mbajtur më 30 dhjetor 1968, doli me këtë konkluzion: “Ngjarjet në Tetovë dhe disa manifestime të caktuara në komunën tonë janë vepra të armikut të orientuar në radhë të parë në cenimin e jetës së përbashkët krijuese të maqedonasve, shqiptarëve, turqve dhe në cenimin e vëllazërim bashkimin të popullsisë nga kjo pjesë e RS të Maqedonisë, prandaj si të tilla dënohen. Para komunistëve të organizatave punuese e vendore paraqiten detyra për sqarimin dhe zbatimin konsekuent të konkluzioneve të sekretariatit të KQ të LKM-së për politikën e çështjes nacionale, sipas kushteve e mundësive të komunës tonë…”. Konkluzione me përmbajtje të ngjashme u sollën edhe në organizatat tjera komunale të LKM-së, si në Kumanovë, Gostivar, Dibër, Ohër, Kërçovë etj..
Tre ditë pas demonstratave, përkatësisht, me 26 dhjetor, Sekretariati i KQ të LKM-së, mbajti mbledhje urgjente, me një pikë të rendit të ditës: “Çështja aktuale ideo-politike lidhur me demonstratat në Tetovë”. Në fund të seancës, udhëheqja ekzekutive e KQ LKM-së, lëshoi një komunikatë për mjetet e informimit, në të cilën u dhanë vlerësimet e para politike, të Sekretariatit, ku në fillim të komunikatës thuhej: “Karakteri shovinist dhe armiqësor i demonstratave, me qëllime të hapura separatiste, me të drejtë solli një rezistencë të hidhur dhe dënime të ashpra nga popullata e komunës së Tetovës”. Sipas tyre: “pikërisht, karakteri i organizimit të demonstratave dhe parullat e përgatitura paraprakisht nga udhëheqësit e tyre, e vërteton vlerësimin e organizatave politiko-shoqërore dhe klasës punëtore nga komuna e Tetovës, se në këtë rast bëhet fjalë për një atak të drejtpërdrejtë të shoqërisë sonë vetëqeverisëse socialiste, në arritjen e vëllazërim bashkimit ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve, në integritetin e Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe integritetin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë” Më tej në komunikatë, thuhej, se: “..e tërë kjo, jo vetëm se paraqet, por detyrimisht e imponon luftën e vendosur dhe efikase kundër çdo dukurie të nacionalizmit, veprimtarisë së fshehtë apo të hapur të elementëve armiqësore..”.
Një ditë më vonë, Konferenca komunale e LKM të Tetovës, mbajti mbledhje të zgjeruar në të cilën krahas anëtarëve të konferencës morën pjesë: Angell Çemerski, sekretar i Sekretariatit të KQ të LKM, Hixhet Ramadani, nënkryetari i Kuvendit të RS të Maqedonisë, Qamuran Tahiri, nënkryetar i këshillit Ekzekutiv të Maqedonisë, përfaqësuesit e Komitetit Qendror nga Tetova, si, Stojan Stojçevski, Hysen Ramadani etj. Në mbledhje siç njoftojnë burimet arkivore, pjesëmarrësit “vlerësua karakterin dhe qëllimin e demonstratave, si dhe i përcaktuan detyrat e veprimtarisë së mëtejshme politiko-shoqërore të LK-së”. Referatin kryesor e lexoi kryetari i Konferencës komunale të LKM-së Xhemali Veseli, sipas të cilit kishin qenë tre momente kyçe të cilat sollën deri te shpërthimi i demonstratave:
“E para, se në mjedisin tonë ekzistojnë armiq të rregullimit shoqëror, se ato janë të organizuar për aksione dhe se një shpërthim i tillë në komunën e Tetovës është dëshira e kamotshme e tyre;
E dyta, edhe pse këto momente dhe dukuri incidentale ishin të njohura për LK është fakt se ato nuk u përfshinë mjaftueshëm në qendër të aktiviteteve ideo-politike…., dhe
E treta, është shumë brengosëse fakti se në demonstratë mori pjesë edhe rinia. Kjo flet se elementet armiqësore kanë siguruar një ndikim të dukshëm te ta. Mund të ketë pasoja shumë katastrofale për këtë shoqëri, për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve vëllazërore dhe për vetë ata nëse lejohet që të rinjtë të futen, të paraqiten në jetën shoqëroro-politike me botëkuptime të skajshme nacionaliste”.
Nga fjalimet e shumta që u mbajtën në konferencë, duhet veçuar fjalimin e Mellko Antevskit, i cili veç tjerash akuzoi inteligjencën shqiptare si nxitëse e demonstratave, ku ndër të tjerave shprehet:: “….nuk jam për atë siç vepronim deri në vitin 1952 që Komiteti i Lidhjes komuniste ta udhëheqë politikën kadrovike kush duhet të jetë profesor, kush do të jetë mësues, të kërkohet prejardhja. Mirëpo, me të vërtetë ne shkojmë në skajin tjetër. Ne kemi raste që fëmijët tanë ti edukojnë njerëz që ishin të dënuar për shkak shovinizmit, nacionalizmit, për shkak veprimtarive tjera të ndryshme armiqësore…. Është fakt se deri tash kemi qenë shumë të pavëmendshëm… viteve të fundit kemi lejuar që numër i caktuar i këtyre njerëzve të marrin statusin e intelektualit, me çka ju dha mundësia të zgjerojnë shovinizëm, nacionalizëm, ta rrënojnë vëllazërim bashkimin… Ne patjetër duhet të bëjmë hulumtime se çfarë profili të inteligjencës posedojmë, si e ndërtojmë dhe çfarë profili të asaj inteligjence duhet ta kemi…”.
Ndaj fjalimit të Antevskit, reagoi Anif Memeti, i cili u shpreh: “Unë si punëtor i arsimit personalisht jam i ofenduar me fjalët e shokut Mellko. Ai thotë se numri i madh i inteligjencës shqiptare qe kyçur në demonstrata…Kundër elementeve të tilla kuptohet se duhet ndërmarrë masa, masa enrgjike. Mirëpo, pas demonstratave u dëshmua se policia rrahu shumë njerëz të pafajshëm. Cilindo që e ka hasë pa letërnjoftim e ka rrahur…”.
Në debat mori pjesë edhe anëtari i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hysen Ramadani, i cili pasi shprehi bindjen e tij thellë se ngjarjet e Tetovës, ishin të lidhura ngushtë me ato të Kosovës, shtoi: “..jo vetëm se do të ishte apolitike, por se do të ishte e gabueshme edhe nga të gjitha aspektet tjera, veçmas kur bëhet fjalë për paraqitjen tonë të hapur para klasës punëtore, nëse nuk themi se ngjarjet dhe situata në Kosovë ndikuan edhe te ne”. Më pas ai kritikoi një pjesë të udhëheqjes kosovare e cila sipas tij: “ende nuk është çliruar nga tendencat, nga dëshirat për t’u paraqitur si udhëheqës të mbarrë shqiptarëve në Jugosllavi…”.
Mbështetur në referatin dhe debatin e zhvilluar, konferenca autorizoj Kryesinë e KK të LKM-së të Tetovës të sjellë “Konkluzione për aktivitetin konkret të komunistëve në realizimin e qëndrimeve”. Për rrjedhojë, më 6 janar 1969, komiteti Komunal i LKM-së të Tetovës mbajti mbledhje, në të cilën u konkretizuan konkluzionet lidhur me demonstratat në Tetovë. Një ditë më pas, komiteti Komunal mbajti mbledhje të zgjeruar në të cilën morën pjesë edhe kryetarët dhe sekretarët të organizatave bazë dhe organizatat e LK-së në organizatat vetëqeverisëse punuese, në të cilën u shqyrtuan edhe njëherë projekt konkluzionet e hartuara nga grupi punues, si dhe “gjendja momentale në komunë” pastaj për rezultatet “nga realizimi i politikës së barazisë së kombësive në atë regjion”, për “vlerësimet lidhur me demonstratat” si dhe për “detyrat dhe obligimet e mëtutjeshme që burojnë nga ngjarjet e mëparshme…”. Në bazë të kësaj, Kryesia e KK e LKM të Tetovës i miratoi konkluzionet me këtë përmbajtje:
“- Demonstratat e 22 dhe 23 dhjetorit të vitit 1968 janë vepër armiqësore të organizuara me paramendim dhe më herët të planifikuara nga një grup nacionalistësh, shovinistësh e irredentistësh të kombësisë shqiptare, aktiviteti i të cilëve është i njohur më herët. Bëhet fjalë për persona të orientuar në frymën nacionaliste e irredentiste nga të cilët një pjesë e mirë tash më kanë qenë në konflikt me dispozitat tona pozitive dhe kanë qenë të dënuar për vepra kundër popullit dhe shtetit. Ekzistojnë indikacione se në organizimin e veprimtarisë armiqësore janë të përzier edhe elemente jashtë këtij territori.
– Për realizimin e qëllimeve të veta dhe gjatë shfaqjes së demonstratave armiku hasi në përkrahje vetëm te individ të caktuar të cilët kanë bindje nacionaliste e anti-vetëqeverisje dhe arriti të mashtroj një pjesë të nxënësve dhe disa qytetarë.
– Veprimtaria armiqësore edhe gjatë demonstratave qe orientuar në rrezikimin e rregullimit shoqëror, kundër integritetit territorial të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe kundër vëllazërim bashkimit, para së gjithash, ndërmjet kombit maqedonas dhe kombësisë shqiptare e turke.
– Orientimi kundër integritetit të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u shpreh edhe nëpërmjet parullave, si edhe nëpërmjet kërkesës për bashkëngjitjen e këtyre viseve me Kosovën dhe krijimin e Shqipërisë së dytë, që objektivisht të çon në krijimin e përçarjes e mosbesimit midis kombeve e kombësive në Republikën Socialiste të Jugosllavisë, në cenimin e marrëdhënieve tash më të vërtetuara shtetërore dhe kanë pasoja shumë negative e të paparashikueshme në marrëdhëniet ndërnacionale a posaçërisht në afirmimin e kombësisë shqiptare.
Sulmi i dhunshëm dhe i pacipë ndaj objekteve tona themelore të sistemit tonë shoqëror e politik siç është sulmi ndaj Komitetit, organizatave tjera politiko-shoqërore dhe organeve të pushtetit, qartë të udhëzon në qëllimin e rrezikimit të rregullimit të përcaktuar shoqëror.
– Armiku nëpërmjet demonstratave u përpoq të krijoj përçarje, jo tolerancë dhe tension në marrëdhëniet ndërnacionale, që nënkupton sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit themelor të Revolucionit. Në këtë drejtim edhe më herët janë vërejt paraqitje siç janë: keqpërdorimi i flamurit të kombësive, imponimi i gjuhës, shprehja e rezistencës kundër reformës, tendenca për punësim proporcional pa marrë parasysh mundësitë shoqërore dhe aftësitë kualifikuese.
– Demonstratat ishin të dedikuar drejtpërsëdrejti kundër afirmimit të kombësisë shqiptare, sepse patën për qëllim ti ndërpresin proceset pozitive në emancipimin e kombësive dhe angazhimin e mëtejshëm të tyre bashkërisht me kombin maqedonas në ndërtimin e shoqërisë socialiste vetëqeverisëse.
– Për realizimin e qëllimeve të veta armiku nuk arriti ta përfitoj klasën punëtore dhe qytetarët e kombësisë shqiptare. Përkundrazi, qytetarët nga Tetova, Maqedonas, Shqiptar e Turq, ishin të zemëruar nga paraqitja e dhunshme dhe e pacipët dhe në mënyrë mërigoroze i dënuan demonstratat.
– Konferenca demonstratat i vlerësoi si tendencioze dhe i dënoi paraqitjet individuale të dala nga disa tubime të caktuara me çka bëhen përpjekje që demonstratat të rrëfehen si spontane, jo të qëllimta, joserioze dhe si vepër të huliganëve, duke e lanë anash karakterin dhe qëllimin e këtij akti të dhunshëm. Nisur nga kjo, kualifikimi i ngjarjeve dhe sjellja ndaj elementeve armiqësore përbën bazën e diferencimit ideo-politik dhe për aktivitetin e komunistëve dhe të klasës punëtore në zbulimin dhe demaskimin e të gjitha paraqitjeve dhe tendencave që janë në kundërshtim me politikën e Lidhjes komuniste.
– Konferenca i vlerëson si qëllimkëqija e nacionaliste të gjitha tendencat dhe paraqitjet që flamurin nacional, shtetëror e partiak të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe të Republikës Socialiste të Maqedonisë… me të drejtën demokratike të pjesëtarëve të kombësive ta përdorin edhe flamurin e tyre nacional. Flamujt nacional, shtetëror e partiak të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë janë simbole të përbashkëta të mbarë kombeve e kombësive në shtetin tonë”.
Ndërkohë, më 30 dhjetor 1968, Kuvendi i komunës së Tetovës mbajti seancë të jashtëzakonshme në të cilën u miratuan dy konkluzione. Në konkluzionin e parë thuhej se: “të gjithë punëtorët e arsimit: profesorë, arsimtarë, mësues e të tjerë që morën pjesë aktive në demonstratat armiqësore më 22 e 23 dhjetor tu propozohen kolektivëve punuese, përkatësisht shkollave që ti përjashtojnë nga puna”. Ndërsa në konkluzioni i dytë kishte këtë përmbajtje: “Menjëherë të thirret Klubi i këshilltarëve dhe të ngrihet procedurë për marrjen e mandateve të këshilltarëve pjesëmarrës në demonstratat e 22 e 23 dhjetorit të vitit 1968 për qytetin e Tetovës”.
Më 13 janar 1969 ishte thirrur mbledhja e tretë e KQ të LKM-së, me rend dite “Raport i Sekretariatit të Komitetit Qendror të LKM-së ndërmjet Plenumit të Dytë dhe Tretë të KQ LKM-së”. Në prag të mbajtjes së këtij plenumi, një delegacion i RS të Maqedonisë i kryesuar nga Kërste Cërvenkovski, pati takim në Beograd me Titon. Informatën për zhvillimin e këtij takimi e paraqiti Cërvenkovski, në mbledhjen e mbyllur të Kryesisë së KQ të LKM-së, e cila u mbajt para se të filloj plenumi. Siç merret veshtë në të veç tjerash ishte diskutuar për “problemin e dukurive shoviniste-irredentiste te shqiptarët”. Lidhur me ngjarjet e fundit, përkatësisht demonstratat në Kosovë e në Tetovë, delegacioni i RS të Maqedonisë, e kishte shprehur qëndrimin e vet, i cili siç pohon Kërste Cërvenkovski, mbështetej në tre pika:
“E para, këto ngjarje në RS të Maqedonisë “numri më i madh, thuajse të gjithë shqiptarët aktiv në republikë dhe nëpër komuna, veçmas në Tetovë, në mënyrë të prerë i dënuan” dhe se kjo është “një garanci e shëndoshë se do të vazhdohet me një politikë të drejtë, se ka kuadro të cilët qëndrojnë fuqishëm pas politikës së LK-së;
E dyta, ekziston një dukuri në mesin e maqedonasve të cilët përafërsisht, nën parullën, se shqiptarëve ju janë dhënë shumë të drejta dhe dëshirojnë të imponojnë një kurs tjetër i cili absolutisht do të ishte i dëmshëm, dhe se në një farë mënyre për herë të parë që kur ekziston si PK-nga viti 1943 e deri më sot politika e LKM-së ballafaqohet me një rezistencë më të gjerë dhe do të duhej angazhimi më energjik, e jo të bihet nën presionin momental, dhe
E treta, është e dukshme se disa dukuri që po ndodhin në Kosovë dhe rezistenca e pamjaftueshme që jepet atje ndikon negativisht edhe në anë tjetër. Te një pjesë e këtyre shovinistëve shqiptarë ekziston tendenca që të gjithë myslimanët ti shndërrojnë në shqiptar, ndërsa është e njohur se përveç shqiptarëve ka edhe turq e mysliman gjuha amtare e të cilëve është maqedonishtja”.
Në këtë takim, ishte shtruar edhe çështja e flamurit, dhe se kjo çështje sipas asaj që deklaroi Cërvenkovski para anëtarëve të Kryesisë: “do të duhej të rishqyrtohet dhe të kanalizohet me disa rregullime juridike”.
Menjëherë posa përfundoi pjesa e mbyllur e mbledhjes, e cila pati karakter informativ, filloi me punë Plenumi i tretë i KQ të LKM-së. Për këtë mbledhje anëtarëve të KQ të LKM-së, krahas raportit të punës midis dy mbledhjeve, iu ishte shpërnda një material shtesë, në të cilin përshkruhej i tërë aktiviteti i organeve shtetërore, organizatave shoqërore politike në mbarë hapësirën e Republikës pas demonstratave të Tetovës. Pika katër e raportit i kushtohej ngjarjeve të Tetovës, ku fillimisht vihej në dukje se aktiviteti i shpejtë, efikas dhe i shprehur mbi “parimet të qarta programore të organizatave e të anëtarësisë së LKM-së në komunën e Tetovës, të organizatave të LKM-së në territoret tjera”, dhe aktiviteti i organizatave tjera politiko-shoqërore si dhe informimi i gjerë i opinionit nëpërmjet shtypit, radios e televizionit “mundësoi të hiqet maska e karakterit të demonstratave, me çka u pa qartë se qëllimi i tyre ishte sulmi ndaj shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse, ndaj arritjes së vëllazërim bashkimit ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve e turqve, ndaj integritetit të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe integritetit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Më pas, raporti ndalet në reagimet e inteligjencës shqiptare, e cila e pakënaqur me sjelljen brutale të policisë gjatë dhe pas demonstratave, në fillim të janarit i shkruan një letër Kryesisë së KQ të LKJ-së me këtë përmbajtje: “Me Kushtetutën e RSFJ na është e garantuar e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar. Mirëpo persona nga drejtime të ndryshme, e kanë grisur, pështy dhe shkelur, ndërsa Milicia Popullore as që u përpoq të intervenoj. Kuptohet, se gjithë kjo e irritoi dhe e hutoi këtë popull, i cili më nuk mundi të duroj dhe ja mbajti demonstrata të hapura. Ne shqiptarët e vetëdijshëm në Maqedoni, në mënyrë kategorike e dënojmë mënyrën e tillë e kërkesës për të drejtat tona, mirëpo nuk mund të pajtohemi as edhe me dënimet masive të mbarë demonstruesit…”. Reagimet e tilla, sipas Sekretariatit, meritojnë kujdes të veçantë politiko-shoqëror, të cilat “ose i limitizojnë ose i dramatizojnë qëllimet dhe pasojat politike të demonstratave”, sepse, siç thuhej më tej në raport “duke u shprehur se ato janë rezultat i pavetëdijes në fakt ato përbëjnë përpjekje për përforcimin e nacionalizmit dhe të urrejtjes nacionale, që me këtë edhe ndërlikimin e marrëdhënieve para së gjithash ndërmjet popullsisë maqedonase e shqiptare”. Shqetësimi i gjerë i opinionit, thuhej më tej në raport veç tjerash ishte “rezultat i faktit se ne si shoqëri dhe si Republikë Socialiste e Maqedonisë për herë të parë ballafaqohemi me përpjekje për manifestim publik të separatizmit, që deri tash qe shprehur vetëm nëpërmjet krijimit të organizatave ilegale…”. (vijon nesër)