Largimi nga BE pa marrëveshje çon Anglinë në kolaps

Disa dokumentet sekrete të qeverisë britanike që u publikuan nga e përditshmja “The Sunday Times”,  paralajmërojnë paralizim në të gjithë sektorët e vendit, në rast se Britania largohet më 31 tetor nga Bashkimi Evropian pa arritjen e një marrëveshje.

Projeksionet parashikojnë fillimisht një ndërprerje prej 6 muajsh të furnizimeve me ilaçe, me ushqime dhe me karburant. “The Sunday Times” shkruan se dosja e siguruar nga një ish-ministër i paidentifikuar “ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit”.

Sipas një burimi qeveritar, dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në rastin e aplikimit të skenarit të një “hard Brexit”, janë nxjerrë për të ndikuar negociatat e Konservatorëve me Brukselin. Megjithatë, skenarët e zymtë që përshkruhen në dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë hedhur poshtë prej kohësh nga akademikët dhe ekonomistët, që i kanë konsideruar si përhapëse të panikut nga përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, është shprehur i vendosur se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, qoftë edhe pa një marrëveshje, duke përjashtuar rinegocimin me Unionin të “paketës May”.