“Bota po ndryshon shumë shpejt. Për fat të keq edhe Formula 1 po preket nga ky ndryshim dhe ajo që kishim frikë mund të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë ish-pronari i Formula 1, Berni Ekleston. Ai mendon se ndryshimet që mund të pësojë ky sport nga pronarët e rinj të “Liberty Media” mund të sjellin pasoja në të ardhmen dhe më konkretisht largimin nga Formula 1 të makinës legjendare Ferrari.
“Markione, nëse vendos ta largojë Ferrarin nga Formula 1 e bën dhe nuk merret me fjalë. Por kjo do të ishte katastrofike për sportin tonë, pasi Ferrari është Formula 1, është legjende, gjithçka”, tha Ekleston. Ish-drejtuesi i këtij sporti shprehet se pronarët e rinj nuk janë aq të aftë sa ai në menaxhimin e situatave delikate. Problem është ndryshimi i kostove të motorëve, që mund të ndryshojë të ardhmen e këtij sporti.
“Shumë nga skuadrat e vogla edhe po të ulen kostot e prodhimit të makinave, nuk do të jenë në gjendje të arrijnë të realizojnë një njëvendëshe të shpejtë si Ferrari, Mercedes apo Red Bull. Këto të fundit gjithnjë do të gjejnë një mënyrë për të realizuar një makinë më të shpejtë dhe fituese. Nuk është çështje parash, por menaxhimi”, deklaroi Ekleston.