Ehe ti, “miku” pordhaman, sa shpejt harrove të thuash së paku një të vërtetë karshi mëkateve tua… Ato rrëfimet e tjera toptan i kishe gabim, njësoj si ato anekdotat historike! Hej, “miku”, shyqyr që ne të dy nuk e mësuam të njëjtën të vërtetë të shqiptarëve, pjesëmarrës në Demonstratat e Tetovës të motit 1968, andaj harroje hisen tënde në këtë mesele sa humane, po aq edhe emancipuese. Sikter Boris!
Nga Fadil LUSHI
Njerëzit që veprojnë me altruizëm thonë se të kesh lëkurën e bardhë nuk do të thotë të jesh detyrimisht shpirtbardhë. Të jesh njeri me ngjyrë, nuk do të thotë të jesh shpirtzi. Nëse në ndejën e burrave do ligjërosh për moral, nuk do të thotë se bëhesh imoralshëm. “Kur nuk të ka lezet fjala në kuvend, është e njëllojtë sikur ke vdekur edhe vetë!”Nëse hiqesh për politikan, nuk do të thotë se ke pushtet të fuqishëm e të pakufizuar. Nëse do bësh gojëtarin, nuk do të thotë se je i shquar në fushat e ndryshme të dijes. Nëse i hip kalit të marrëzisë, kjo do të thotë se je jashtë ekuilibrit mendor.Nëse “sabah e aksham” dërdëllit për shqiptari, nuk do të thotë se bëhesh shpëtimtar i atdheut.
Njerëzit e tillë mund të hetohen vetëm nga ata që janë në hall a në siklet. Këta unë idiktova para shumë vitesh, këtejpari në vendbanimin e hershëm të stërgjyshërve tanë. Mbaj mend ditën e njëzet e tretë të muajit të dymbëdhjetë të motit 1968, kur në kasabanë time u organizuan demonstratat. Më 23dhjetor të motit 2018mbushet plot një gjysmë shekulli nga organizimi i demonstratave të Tetovës që do të karakterizohen me katër palë histori:
Historia e lavdisë: Do të shkruhet nga vetë organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj, me në krye studentët nga Beogradi dhe shumë atdhetarë të tjerë nga Tetova dhe përreth saj.
Historia e akuzës: Do të thuret nga ana e pushtetarëve. Do të akuzohet Faik Mustafa,i cili më vonë do të dënohet me 5 vjet heqje lirie, ndërkaq ikona e politikëbërjes në nënqiellin e Fushë-Pollogut, Memetriza Murtezan-Gega do të dënohet me 7 vjet burg. Do të ngarkohet me faj për arsye se gjithmonë ka qenë kundërshtar i shpërnguljeve të shqiptarëve drejt Anadollit, njeriu që në kontinuitet do të kërkojë për shqiptarët të drejta më të avancuara në aspekt politik, në aspekt kulturor, social, arsimor, ekonomik dhe aspekte tjera.
Historia e harresës: Kjo histori do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë, paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar e trajtuar. Historianët tanë (me përjashtim të kosovarëve) gjatë kohë do ta mbajnë mënjanë kokën, shikimin dhe mendjen. Ndoshta kishin pasur të drejtë. Edhe pas pesë dekadash, kjo e kaluar do të karakterizohet me atë harresën tonë kolektive, pesëdhjetë vjet heshtje vari, pesëdhjetë mote dyshimi, gjysmë shekulli akuza dhe lëvdata të rreme a të sajuara, pesëdhjetë vjet lëkundje e mosbesim për vërtetësinë e demonstratave, edhe pas pesë dekadash këto demonstrata jetojnë a kujtohen nga vet organizatorët, edhe pas gjysmë shekulli këto demonstrata sikur kërkojnë hire të tjera,gjegjësisht kërkojnë përkrahje morale nga institucionet që kanë hise në këtë trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve…, edhe pas pesëdhjetë vjetësh ka mosbesim politik dhe paragjykime, edhe pas pesëdhjetë vjetësh dëshmitarët e kësaj vakie kërkojnë të vërtetën e tyre…,gjysmë shekulli emocione të përziera, pesë dekada histori“allafrënga dhe allaturka”…, pesëdhjetë vjet histori as “për dynja e as për ahiret”…Ehe, lum miku, edhe pas pesëdhjetë vjetësh sa keq ndihesh kur njerëzit e tu prej mishi e prej gjaku të harrojnë për së gjalli…,edhe pas plot pesë dekadash na mbyti bajraktarizmi primitiv, një bajraktarizëm kanunor, që mëton ta zbehë dhe ta nëpërkëmbë edhe atë pak filozofi që u ka ngelur demonstratave të motit 1968, e të tjera pas pesë dekadash.
Historia e kodoshëve:Kjo histori e demonstratave do të karakterizohet me shqiptarët që ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, respektivisht spiunët apo kodoshët të cilët më shumë se 80 % i siguruan fakte aktakuzës. Një i tillë sot e kësaj dite jeton në kasabanë e prindërve të mi. Është një njeri i cili dikur bënte punë prej matrapazi, prej bashkëpunëtori të pushtetit,prej sekseri dhe prej zagari të qehajait të beut. Kohë pas kohe bënte edhe punën e kambanarit dhe njëkohësisht u frynte borive të alarmit. Një kohë të caktuar qe “punësuar” si zagar i qehajait të beut. Sa herë që qehajai ijepte një kockë për ta lëpirë,aq herë ai shkonte a vraponte pas gjahut… Po sot,po t’i japësh edhe dy kocka, nuk lëviz dot nga vendi, nuk lehën më! Kur një ditë kishte “pushuar” së lehuri, hafijet e vogla, i kishin thënë kryekodoshit: “Ky zagar, duhet vrarë urgjentisht!”. Kryekomandati i spiunëve kishte dhënë përgjigje të prerë: “Nuk do ta vrasim…, na duhet…, do t’i mësojë zagarët e rinj sesi duhet lehur!” Dhe kur atypari u dukën partitë politike shqiptare, fillimisht bëri përpjekje që t’i ngjitej “kryeminderit të partisë nga e mbara”… dhe kur në këtë ngjitje dështoi, u mundua t’i“ngjitej së prapthi”… dhe kur edhe në këtë përpjekje nuk i eci zari, iu kthye partisë amë gjegjësisht, partisë komuniste. Fatkeqësisht, kishte harruar se në kurrizin e partisë së re, ka hapësirë vetëm për një bythëvend…, kishte menduar se do t’i ngjitej kurrizit të mushkës a pelës së tyxharit! Edhe pas pesëdhjetë vjetësh nuk ndërgjegjësohet se në qafë ka hajmalinë që (nuk) do t’i sjellë mbarësi…,edhe pas pesëdhjetë vjetësh këtejpari nuk duket njeri i cili do t’ia plasënë fytyrë të vërtetën e tij të hidhur…,edhe pas pesë dekadash këtejpari vegjeton ish-hafija e pushtuesit që vepron e sillet me djallëzi, edhe pas pesëdhjetë vjetësh aq shumë “u plak e u thinj, sa me gënjeshtra,me thashetheme dhe me kodoshllëk nuk u ngi”…, ky udbash edhe pas pesëdhjetë vjetësh askujt nuk i dha llogari për veprimet e tij të shëmtuara.
“Miku”, larg duart nga e vërteta e meselesë sonë, të lusim, larg mendjen nga realiteti ynë objektiv, “miku”, hiq mendjen nga e vërteta e njerëzve që kërkonin lirinë e vonuar të vatanit, “miku”, larg surratin nga e vërteta e njerëzve ndaj të cilëve dëshmove…, “miku”, hiq dorë nga hiseja jote e sajuar…, “miku”,qëndro larg familjeve të njerëzve që dikur moti ua thyen kockat… Ehe,“miku”, a të kujtohet kur ti futeshe në oborrin e shkjaut për t’i ndihmuar për ta prerë atë kafshën shtëpiake me trup e me qafë të trashë, me këmbë të shkurtra e me turi të zgjatur, që ne ndryshe e quajmë derr?Hej,mbaj larg turinjtë nga punët tona…Hej ti, kodosh, hiq mënjanë shikimin nga ky përvjetor i rëndësishëm, hiq mendjen nga përvjetori i pesëdhjetë i demonstratave…Ehe, shiko ti, lum miku ynë, ky që dikur bënte punë prej matrapazi, u bë edhe turiri i tij të na shajë, të na nënçmojë e të na tregojë sesi shqiptarët asokohe nuk duhej ta kundërshtonin politikën shoviniste dhe nacionaliste të ish-Jugosllavisë, sesi shqiptarët paskan gabuar kur kishin dalë në demonstrata në Prishtinë e Tetovë…Hej ti,“miku”, asokohe thoshe se e kishim për gabim këtë veprim tonin, ti thoshe me plotë gojën se shqiptarët asnjëherë më mirë nuk kanë jetuar…
Është e vërtetë se ti në atë kohë jetoje mirë, ti asokohe detyroje mësuesin që bashkë me nxënësit të këndonin himnin e Jugosllavisë… Ehe ti, “miku” pordhaman, sa shpejt harrove të thuash së paku një të vërtetë karshi mëkateve tua… Ato rrëfimet e tjera toptan i kishe gabim, njësoj si ato anekdotat historike! Hej, “miku”, shyqyr që ne të dy nuk e mësuam të njëjtën të vërtetë të shqiptarëve, pjesëmarrës në Demonstratat e Tetovës të motit 1968, andaj harroje hisen tënde në këtë mesele sa humane, po aq edhe emancipuese. Sikter Boris! (koha.mk)