Nëse vazhdon me këtë tempo të vaksinimit, me vetëm afër 730 vaksina në ditë – atëherë Maqedonisë do t’i duhen vendit tonë më shumë se 11 vite për ta vaksinuar mbi 70 për qind të popullsisë dhe me këtë, ta arrijë imunitetin kolektiv
Zenel MIFTARI
Shkup, 8 prill – Më 17 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë kundër virusit korona me mbi 4000 doza vaksina Pfizer, që vendi ynë i mori donacion nga Serbia. Deri më tani, vendi ynë ka 78 mijë vaksina, prej të cilave 48 mijë donacion nga Qeveria e Serbisë dhe vetëm 30.000 vaksina të AstraZeneca, që kanë ardhur si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë me kompaninë në fjalë. Megjithatë, nëse vazhdon me këtë tempo të vaksinimit, me vetëm afër 730 vaksina në ditë – atëherë Maqedonisë do t’i duhen vendit tonë më shumë se 11 vite për ta vaksinuar mbi 70 për qind të popullsisë dhe me këtë, ta arrijë imunitetin kolektiv.
Sipas paralajmërimeve, Qeveria ka rënë dakord për 833 mijë doza të vaksinës AstraZeneka përmes sistemit KOVAKS, 800 mijë doza nga Pfizer dhe nga 200 mijë doza Sinofarm dhe Sputnik V. Të gjithë këto vaksina, siç thonë autoritetet shëndetësore në vend, do të duhen të arrijnë brenda vitit. Që nga kjo javë ka filluar edhe imunizimi masiv i popullsisë kundër virusit korona. Edhe pse ishte paralajmëruar që javën e kaluar, imunizimi i policëve, ushtarëve, gazetarëve, shoferët e autobusëve, zjarrfikësit, edukatorët në kopshte, të punësuarit në pikat pagesore dhe të tjerë… akoma nuk janë vaksinuar. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se akoma nuk ka përfunduar vaksinimi i moshës së tretë, ndërsa në terren punon ekip prej 20 infermiereve dhe pesë mjekëve në dy ndërrime. Në sallën sportive ka vende të caktuara ku vaksinimi mbikëqyret prej 15 deri 20 minuta. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe është arsyetuar se rrjedha natyrore e pandemisë, zbatimi i vaksinimit dhe arritja e imunitetit kolektiv – janë disa nga elementet kryesor që mund të përcaktojnë rrjedhën e pandemisë.
“Ende nuk ka përgjigje se kur mund të rikthehemi në realitet. Fokusi është tek vaksinimi dhe respektimi i masave ekzistuese pas vaksinimit. Ka shumë vende ku vdekshmëria është më e lartë. Vala është e fortë, forma e sëmundjes është e rëndë, madje edhe tek të rinjtë që nuk kanë sëmundje të tjera shoqëruese. Kjo formë e mutacionit jep këtë formë të sëmundjes”, thotë Filipçe, ndërsa beson që udhëheqësit e KOM-it dhe BFI-së nuk do t’i ftojnë besimtarët në tubime masive në faltore, me çka do të kontribuonin për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Ndryshe, nga vendet e rajonit, me imunizim kryeson Serbia dhe Shqipëria. Të dhënat zyrtare tregojnë se nëse në këto dy vendeve vaksinimi vazhdon me këtë ritëm të shpejtë, imunizimi i mbi 70 për qind të popullsisë në Serbi dhe Shqipëri do të përfundojë nga dhjetori i këtij viti. (koha.mk)