Joan Laporta, presidenti i sapozgjedhur i Barcelonës, pasi mposhti Víctor Font dhe Toni Freixa në këtë garë, dha intervistën e tij të parë si drejtuesi më i lartë i klubit katalan. Laporta shpjegoi se Leo Messi tashmë e ka uruar atë për fitoren elektorale.
“Ishte shumë bukur ta shihje Messin duke votuar. Është një provë më shumë se ai e do Barçën. Jam i bindur që ai dëshiron të qëndrojë. Leo tashmë më ka uruar për fitoren e zgjedhjeve, mendoj se është normale.”
Pasi pranoi se e priste fitoren e jashtëzakonshme në zgjedhje, Laporta shpjegoi prioritetet e tij si president.
“Gjëja e parë do të jetë kryerja e auditimit, por më lejoni të përshëndes të gjithë punëtorët e Barçës. Klubi është keqmanaxhuar dhe tani, më në fund, do të jemi në gjendje të marrim vendimet e nevojshme. Ne do të kryejmë një auditim dhe do të zbatojmë planin tonë, në mënyrë që Barça të jetë ekonomikisht e qëndrueshme.”
Ndër të tjera, Laporta foli edhe afrimin e mundshëm Jordi Cruyff dhe Xavi Hernándezit, duke lënë të kuptohet se vendimet do të merren në kohën e duhur, pasi të jetë e qartë e gjithë situata ku ndodhet klubi.
Mediet në Spanjë, ndërkohë, kanë zbuluar se presidenti i sapozgjedhur është hedhur në aksion për të bërë goditjet e para në merkato. Sikurse raporton AS, Pini Zahavi dhe Fali Ramadani, përfaqësuesit e David Alabas, kanë qenë në Barcelonë javën e kaluar, ku u takuan me Laportën për të diskutuar mundësinë e nënshkrimit me mbrojtësin austriak, i cili nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me Bayernin. 58-vjeçari mësohet se u kërkuar manaxhëreve të Alabas që të prisnin sa të zgjidhej president për të formuluar një propozim zyrtar.