Lansohet Huawei Y7 Pro (2019) me procesor Snapdragon 450

Kompania e njohur kineze, Huawei, është duke punuar shumë që të bëhet prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve në botë. Vetëm disa ditë nga lansimi i smartfonit të ri P Smart (2019) në Evropë, tani në Vietnam Huawei ka lansuar smartfonin tjetër të ri më të përballueshëm – Y7 Pro (2019).


Huawei Y7 Pro (2019) vizualisht është shumë i ngjashëm me P Smart (2019), por me specifika të ndryshme, transmeton Koha.net. Ai vjen me ekran 6.26-inç LCD me rezolucion HD+ dhe raport të ekranit prej 19:9 me ‘prerje’ (notch), procesor Snapdragon 450, 3 GB RAM memorie dhe 32 GB memorie të brendshme me mundësi zgjerimi përmes kartelës microSD, shkruan gsmarena.

Gjithashtu, Y7 Pro (2019) vjen me kamerën kryesore të dyfishtë prej 13 + 2 megapikselë dhe atë të përparme prej 16 megapikselë, si dhe punon me sistemin operativ Android Oreo dhe ndërfaqen e përdoruesit EMUI 8.2.

Y7 Pro (2019), po ashtu, ofron mbështetje për lidhjet si Bluetooth 4.2 dhe Wi-Fi, si dhe punon me baterinë prej 4,000 mAh. Pasi nuk ka një skaner për gishta, Huawei ka implementuar një hapje të smartfoni përmes identifikimit të fytyrës në vend të metodave të vjetra – PIN dhe fjalëkalimet.

Sa i përket çmimit, Huawei Y7 Pro (2019) kushton rreth 150 euro dhe do të jetë në dispozicion me ngjyrë të kaltër ose të zezë nga 5 janari.