Njëmbëdhjetë vjet para, me Ohrin, Arbeni me të gjallë i kishte bashkuar shqiptarët si dhe në raste të tjera hamletiane. Nuk di a do t’i bashkojë për së vdekuri ata të cilëve ua kishte falur pa kursim dashurinë e pakusht
Shkruan: Ylber Hysa
E kanë njohur që të gjithë, por unë e kam thirrur xhaxhi! Arbër Xhaferi me dekada ka qenë prezent në jetën publike gjithëshqiptare, duke i dhënë asaj kuptim politik, aktivizim shoqëror, ndjesi intelektuale dhe mbi gjitha një qëndrueshmëri në argumentim konstant mbi të drejtën dhe lirinë.Rrallëkush në mënyrë më popullore dhe të njëjtën kohë të stërholluar intelektuale, ka mundur të krijojë një fushë magnetike për të akseptuar argumentin mbi lëvizjen kah liria, jo vetëm nga ajo e jashtmja, por edhe kah e brendshmja, duke u mbështetur në vlerat pa kompromis oksidentale dhe të njëjtën kohë nacionale, siç ka bërë Arbër Xhaferi.
E kam njohur për së afërmi në shumë momente superdramatike – kur Milosheviqi na kishte lënë lakuriq nga pushteti e institucionet, duke na u kërcënuar me shfarosje; në kohën kur po bindej të vinte në “vilajetin e errët” të rikthente kuptimin e dinjitetin, në kohën kur duhej të luftonte për universitet, flamur, në kohën kur duhej ndihmuar luftën në Kosovë dhe kur refugjatët ia kishin vërshuar vendin më 1999, në kohën kur i mësonte udhëheqësit e luftës si të silleshin në liri, në kohën kur vetëm në zyrë po mendohej thellë si t’i qasej luftës që po i trokiste te dera, më 2001, dhe si të përballej me oferta për ndarje territoresh, në kohën kur duhej me gjoks të mbronte unitetin shqiptar për të arritur Marrëveshje paqeje…! 11 vjet pas, saktësisht, Arbër Xhaferi ndërroi jetë.
Kohëve të fundit takoheshim si gjithnjë dy dekadave ë fundit, qetazi, periodikisht dhe me rregull në katër sy, edhe pasi kisha marrë postin në vendin ku ai tashmë jetonte i kthyer qe 20 vjet.
Herën e fundit ishim marrë vesh me të njëjtin ritëm të takoheshim në Prishtinë ku rrinim shlirë, pa e ditë që sebep do të na bëhet mortja, ketë herë e të afërmit të tij, poetit Ali Podrimja. Si gjithherë shkova ta merrja me veturë, qetazi, pa bodyguardë, për të bërë si gjithnjë një muhabet të gjatë dhe pa protokoll. Ishte takimi i fundit, vetëm dy javë para se të hynte në agoni prej së cilës nuk u qua më. Dhe ishte tamam si takim i fundit, me llafe të gjata reflektive mbi gjithë ç’ka ndodhur e ku ishte akter, me ‘a ka mund të behej ndryshe’, ‘si do të bëhej sikur’…, ‘pse ka rrjedhur kështu dhe pse nuk mund të jetë kështu…’ Dhe toni i tij këtë herë ishte disi si në këngën e Sinatrës “I did it my way”. Shumëçka nga këto muhabete që kur nuk e kanë parë dritën e publicistikës e të botimeve kanë mbetur të mbyllura përgjithmonë në llafin tonë në katër sy! Pastaj, një llaf i ndërprerë për të hapur kutinë, si tabakun e duhanit, plot me ilaçe me shumë ngjyra dhe një orar për kohë përdorimi që mbahej nga duar që i dridheshin tmerrshëm nga Parkinsoni që e kishte lodhur mbi 20 vite.
“Tutju ‘dashnisë” së hasmit” – kishte qenë porosia e të atit kur e kishte përcjell për studime të filozofisë në Beograd. Një moto që e kishte përcjellë gjithnjë për të qëndruar vertikalisht pranë ofertave dhe privilegjeve për të mos ndryshuar kursin e qëndrueshëm për të kërkuar liri. Vetëm disa ditë pas rënies në agoni, një dëshmitare e gjykimit të tij në Tetovë kur me një grup patriotësh kishin demonstruar flamurin më 1968, më kishte treguar se si në gjykimin publik siç bëhej atëkohë kundër armiqve të popullit, një studente nga Beogradi që ishte prezente, kishte bërtitur në gjykatore “mbahu Arbën”! Maksima e babait i ishte shndërruar në respekt që “hasmi” fitoi për të dhe po t’i shtohej asaj mënyra se si e konceptoi të drejtën e patjetërsueshme të një populli autokton për liri kur u rikthtye në Maqedoninë e etur për një diskurs intelektual që raportet etnike i citonte nga filozofët antikë deri te konceptet më bashkëkohore të Horowitzit, i bëri pashmangshëm epitetin e asaj që mund të zbërthehet vetëm në kompozitën sllavishte straho-postovanje (frikë-respekt).
Në takimin e fundit Arbëni ishte po ai, ndonëse i lodhur nga sëmundja, prapë një kombinim i hatashëm i principit dionizian dhe apollonian, trupmadh por, super elegant, me një ton pakëz nostalgjik por jo të deziluzionuar mbi ata që ua fali krejt dashurinë – bashkëkombësve të vet. Këtë herë më një ton të lehtë cinizmi që e karakterizonte kur fliste mbi rrëmujën që e përcjell transiconi popullin e tij dhe me një të qeshur që ia hijeshonte një nur nga mjekra e thinjur dhe flokët të zezë thuajse donte të shtonte, këta jemi ne….
Njëmbëdhjetë vjet para, me Ohrin, Arbeni me të gjallë i kishte bashkuar shqiptarët si dhe në raste të tjera hamletiane.
Nuk di a do t’i bashkojë për së vdekuri ata të cilëve ua kishte falur pa kursim dashurinë e pakusht.
Lamtumirë, xhaxhi!