Lorik Cana zbret për herë të fundit në fushë me Kombëtaren. Jo me uniformën e lojës, ndërsa numrin e tij në shpinë e mbajtën 11 titullarët kundër Italisë, por për tu përshëndetur me tifozët.
Mbi 16 mijë të pranishmit në Loro Boriçi të Shkodrës brohoritën emrin e kapitenit legjendar, që më 9 Tetor 2017 i dha lamtumirën zyrtare futbollit të luajtur.
Emocione te forta, për kapitenin që pas dhuratës simbolike nga presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka vrapoi në fushë me djalin Bojken në krahë. Pak fjalë. Të sinqerta; kuptimplota.
Lorik Cana: “Faleminderit të gjithëve.”
Tifozët e falenderuan me mënyrën e tyre, duke hapur një fanellë gjigande me numrin 5 dhe emrin Cana. Të gjithë donin ta përshëndesin kapitenin, madje edhe punëtorët e fushës që kishin fatin se ndodheshin pak metra pranë tij.
Thirrje dhe duartrokitje nga tribunat, aty ku Loriku dërgoi topat e fundit që shkelmoi në fushë. Kujtime të çmuara për tifozët fatlumë, ndërsa Bojkeni i mitur tregoi se edhe në venat e tij mund të ketë pak gjak futbollisti, duke mos shfaqur asnjë emocion në fushë ndërsa shkelmonte topin.
Emocionet e lamtumirës Loriku nisi ti ndjente kohë përpara ceremonisë dhe këtë nuk e fshehu as në prononcimin në Digitalb gjatë programit “Kuq e Zi” të Alban Xhihanit.
Lorik Cana: “Kanë qenë emocionet dhe ndjenjat më të bukura që kemi pasur. Që pas periudhave të vështira në Kosovë dhe Maqedoni, një faktor që është munduar ti bashkojë shqiptarët kudo ishte kjo Kombëtare. Të luaja për këto ngjyra ishte kranaria më e madhe dhe ndjesia më e bukur, ashtu si edhe lindja e djalit. Është absolutisht mëse normale, ato vitë që luajmë duhet të ndjesh fatin dhe kënaqësinë që përfaqëson vendin tënd. Doja të largohesha pas Botërorit në Rusi, por problemet shëndetësore nuk më lejuan.”
Ndeshja me Italinë, e para në shtëpi për Shqipërinë në turnetë zyrtarë ishte momenti ideal për lamtumirën e liderit të Kombëtares në fushë por edhe jashtë saj. Mbyllja perfekte e një karriere të jashtëzakonshme, me 93 ndeshje si kuqezi dhe aktivizim në klube prestigjoze, mes të cilave Paris Saint Germain, Maserille, Gallatasaray dhe Lazio. Por, si në çdo lamtumirë nuk mungojnë edhe pengjet: nga ato për rezultatet sportive te mungesa e grupimit Tifozat Kuq e Zi në tribuna, me të cilët Loriku konfirmon se lidhja mbetet speciale.
Lorik Cana: “Tifozat kuqezi? Raporti që kam me tifozat kuq e zi është prej vitit 2004-2005. Është një raport i jashtëzakonshëm. Atë punë që ne lojtarët e bënim në fushë, ata arritën ta bënin me tifozët nga të gjitha trojet dhe emigracionit. Më vjen keq që nuk janë këtu për ti përshëndetur, por kjo absolutisht nuk ndikon në raportet tona, pasi unë do të mbetem një tifoz kuqezi. Pengu më i madh? Dy momente, ndeshja në Europian me Francën që e humbëm në një vend ku jam rritur. Tjetra është në Botërorin Brazilian, që mund të kishim pak shans ta provonim.”