Frenk Lampard ka marrë tashmë drejtimin e Çelsit. Ish-mesfushori i bluve të Londrës ka realizuar ëndrrën e tij për të stërvitur ekipin e zemrës. Pas largimit të trajnerit Sarri, të shumtë ishin ata që u përfolën si zëvendësuesit e italianit, megjithatë në fund drejtuesit zgjodhën Lampard, edhe pse ka vetëm një vit eksperiencë në fushën e trajningut.
Sakaq, Lampard ka nisur nga puna, teksa legjenda e klubit nuk do të ketë mundësinë të ndërhyje në merkato, por do të punojë me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Ndërkohë, në këtë eksperiencë duket se Lampard po mendon të afrojë në stafin e tij edhe ish-shokun e skuadrës, Eshlej Kol. Të dy, kanë ndarë momente të veçanta në kohën kur aktivizoheshin me Çelsin, por edhe me Kombëtaren e Anglisë. Ndërkohë, duhet përmendur se 38-vjeçari ishte pjesë e Derbit, skuadrës së drejtuar nga Lampard në sezonin e kaluar.
Megjithatë, në fundin e sezonit të kaluar vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist. Tashmë, duket se të dy do të ribashkohen. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, ka qenë Eshlej Kol i cili ka ngritur pikëpyetjet pas një postimi në rrjetet sociale, ku tregon se është nisur për në Japoni, atje ku blutë po kryejnë fazën përgatitore.