Frank Lampard insiston se nuk do të ketë frikë që t’u ofrojë futbollistëve të rinj të Chelseat rastin për të lënë gjurmë në “Stamford Bridge” këtë stinor, shkruan sot Koha Ditore.
Rekordmeni i golave i Chelseat, Lampard nis zyrtarisht zejen e trajnerit në klub me ndeshjen e së dielës në udhëtim në Premier League ndaj Manchester Unitedit. Nuk do të jetë befasi nëse ai në skuadër aktivizon lojtarët si Tammy Abraham, Fikayo Tomori apo Mason Mount. Ndërsa ndalesa e transferimeve nga FIFA dhe largimi i Eden Hazardit te Real Madridi, nënkupton se ky stinor do të jetë shumë sfidues për Lampardin. Ish-mesfushori beson se është një rast i mirë që klubi të llogaritë te të rinjtë.
Mesfushori 20-vjeçar Mount, sulmuesi 21-vjeçar Abraham dhe mbrojtësi 21-vjeçar, Tomori, të gjithë ishin të huazuar te Derby County në Kategorinë e Dytë të Anglisë stinorin e kaluar, ndërsa Lampardi kishte qenë kryetrajner duke, debutuar në këtë zeje. Derby gati sa nuk arriti të ngjitet në Premier League, duke humbur vetëm në finale të plejofit nga Aston Villa.
Në rast se Chelsea do të kishte mundësi të transferonte lojtarë, atëherë të rinjtë me gjasë do të ishin huazuar në ndonjë skuadër tjetër. Mirëpo, tash ata janë pjesë e rëndësishme e planeve të Lampardit për stinorin e ri.