Antonio Conte e largoi me një sms por Chelsea tashmë e ka shumë të vështirë për të gjetur një sulmues në lartësinë e tij. Kampionët e Anglisë tashmë pa një qëndërsulmues pasi Diego Costa është nxjerrë në shitje, po hasin vështirësi të mëdha për të siguruar një bomber që të arrijë të zejë vend në skemat e trajnerit italian. Sulmuesi spanjoll që u bashkua me Chelsean në vitin 2014 ka fituar dy tituj në Premier League por tashmë ai është pjesë e së shkuarës. Ish kapteni i bvluve, Lampard kritikon në njëfarë mënyrë sjelljen e trajnerit Conte për ta larguar nga ekipi sulmuesin më të mirë. “Do të jetë shumë e vështirë që të zëvendësohet një sulmues si Costa. Ai është një lojtar shumë fizik dhe i vështirë për t’u zëvendësuar. Nuk është aspak e lehtë për të gjetur një lojtar që të shënojë kaq shumë gola sa ai”, thekson Lampard. Gjatë sezonit të fundit, Diego Costa shënoi 22 gola në 42 ndeshje por Chelsea shikon belgun Lukaku si pasuesin e tij ideal dhe ish mesfushori Lampard bën një koment edhe për këtë emër.
“Ai është një lojtar që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe do të ishte një opsion shumë i mirë por mendoj se sërish do të jetë e vështitrë të plotësohet vendi i lënë nga Diego Costa”, shton ish kapiteni i bluve. Aktualisht, Chelsea është në bisedime me Atletico Madrid për transferimin e sulmuesit me origjinë braziliane edhe pse klubi iberik nuk mund të bëjë merkato deri në Janarin e vitit 2018 për shkak të bllokadës së vendsur nga FIFA. Diego Simeone shpreson në një vendim në favr të klubit pasi çështja është ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Në rast se Atletico do të lejohet të blejë lojtarë edhe gjatë merkatos verore, atëherë rikthimi i Diego Costas në Madrid do të jetë thjesht çështje detajesh.