Bujar KURTAJ
Shkup, 29 mars – Dy boksierët e përfaqësuese së Maqedonisë së Veriut në boks, Jasin Lama dhe Goce Janeski të dielën në mbrëmje nëpërmjet Sofjes janë rikthyer në Maqedoni, pasi 19 ditë kanë qenë në Londër ku kanë marr pjesë në turnirin kualifikues për Lojërat Olimpike në Tokio.
Turniri olimpik për shkak të situatës së pandemisë nga koronavirusi pas vetëm dy ditë u ndërpre nga ana e organizatorëve. Kështu, Lama dhe Janeski mbetën në Londër për shkak të mbylljes së aeroportit në Shkup.
Ndërsa, Federata e Boksit të Maqedonisë së Veriut në dy herë tentoi ti kthen në Shkup por për fat të keq pa sukses, njëherë nëpërmjet Stambollit dhe herën e dytë nëpërmjet Selanikut, pasi Turqia dhe Greqia në moment të fundit i mbyllën kufijtë.
“Mbrëmë me fluturim nëpërmjet Sofjes, dy boksierët Jasin Lama dhe Goce Janeski arritën në Bullgari dhe më pas deri në Shkup. Të dy boksierët janë mirë për momentin dhe janë të vendosur në karantinën e obliguar në Shkup në hotelin ‘Ibis’ ku do të qëndrojnë 14 ditë. Federata e Boksit e Maqedonisë së Veriut falënderon të gjithë të punësuarit në ambasadat e Maqedonisë në Londër dhe Sofje për ndihmën që të cilën na e ofruan për ti rikthyer Jasin Lamën dhe Goce Janeskin në shtëpi. FBMV gjithashtu falënderon edhe organizatorët e turnirit në Londër të cilët maksimalisht janë angazhuar që Lama dhe Janeski ti kenë të gjitha kushtet e nevojshme për qëndrim komotë në Londër”, deklaroi për gazetën KOHA, nënkryetari i Federatës së Boksit të Maqedonisë së Veriut, Faton Salihu.