Majko thotë se i ka kaluar koha, LDK-ja s’e përmend fare dhe pretendon kosovarët ta përkrahin konceptin “e përhershëm” të Kosovës shtet, kurse Albin Kurti tash e zbulon se Kushtetuta nuk e lejon… Çka do të thonë idealistët që e përkrahën pa rezervë konceptin e bashkimit?
Nga Daut DAUTI
1. LDK DHE LAJTHITJA E TYRE SHTETNDËRTUESE!
Më duket se duhet të korrigjohem në një diagnozë që e kam dhënë më dikur. Kur LDK-ja vendosi ta prishë qeverinë me Albinin, pata shkruar dhe u thosha edhe ca miqve nga LDK-ja se është një gabim që do t’u kushtojë shtrenjtë. Sepse, marrja e përgjegjësive do të thotë edhe marrje vendimesh të rënda të papopullarizuara. Jo taksa për mallrat e Serbisë, jo dialogu, jo pandemia…Kush mund të merrte vendime që s’do t’i gjykonte populli i indoktrinuar?
Këtu e shihja dështimin e paralamëruar të LDK-së. Por, ata, burrërisht qëndronin në të tyren se “si parti shtetndertuese”, janë të gatshëm të marrin vendime, e me fjalë të tjera, edhe të flijohen. Dhe u flijuan! Dhe tash pas ndëshkimit në zgjedhjet e shkurtit, kur kryesia e tyre janë në dorëheqje, kur flasin për reforma brenda partisë, kur licitohet kush do të vijë në krye të LDK-së, këto ditë më bëri përshtypje diçka që me gjithë ndryshimet që do t’i bëjnë, ata do ta varrosin përfundimisht LDK-në! Sepse, aty mund të jetë nëse jo thelbi i ndëshkimit në zgjedhje, shkaku kryesor i mosngjalljes! Edhe atë, nga një fiks ide që s’di kush ua ka ngulitur në kokë dhe ua ka bërë si dogmë, duke mos parë se aty kosovarët nuk bëjnë kompromis.
Është fjala për Kosovën si shtet, më saktë, siç e tha një udhëheqës i lartë i LDK-së, “për Kosovën shtet jo si fazë kalimtare, por shtet si zgjidhje e përhershme”!
Të them të drejtën u befasova nga këmbëngulja shkurtpamëse në këtë kauzë “shtetndërtuese”! Nuk e di si kanë hyrë në “film” këta të LDK-së, sigurisht nuk kanë rënë në kurthin e disa “mendimtarëve të pavarur”, të cilët duke dashur të dëshmojnë se shtetësia nënkupton simbole të ndryshme nga Shqipëria, shkojnë në ekstremin tjetër, në mohimin e një të drejte historike, atë të bashkimit me Shqipërinë. As Lidhja e Prizrenit, as kryengritjet e Hasan Prishtinës e Bajram Currit, as qeveria kusilinge e Rexhep Mitrovicës, as lufta nacionalçlirimtare e Fadil Hoxhës, as rebelimi i Shaban Polluzhës e Ademi Jasharit e UÇK-së…nuk e kanë pasur qëllim të parë dhe të fundit (vetëm) shtetësinë e Kosovës, por bashkimin me Shqipërinë. Sepse, të çlirohesh nga Serbia dhe të mbetesh jashtë Shqipërisë, përveçse për shkak të kufizimeve gjeostrategjike, nuk duket një qëllim bash i pastër kombëtar e historik…Në këto zgjedhjet e fundit paksa u ndërruan rolet e garës zgjedhore. LVV-ja nuk i mohonte më simbolet e Kosovës, ato çështje më u absolvuan nga më herët, e as LDK-ja merrej me Kosovën shtet, sepse merreshin me çështje tjera, kurse me bashkimin u mor Ramush Haradinaj, kurse LDK-së i qe bërë bajat kjo temë… Është për t’u çuditur që LDK-ja, “shtetformuesja” më e madhe, e paska kuptuar pavarësinë e Kosovës si çështje jo kalimtare, por të përhershme, që do të thotë, Kosova shtet po, por jo të bashkohet me shtetin amë! Nuk është çështja te ndonjë realizëm politik (si psh. për shkak të kufizimeve të kushtetutës së Ahtisarit), por te një koncept, i cili me gjasë rrënjët i ka te koncepti i keqkuptuar i Ibrahim Rugovës nga koha kur as për së afërmi nuk dukej pavarësia. Koncepti i Rugovës ishte Kosova neutrale jashtë Serbisë dhe e hapur njëkohësisht si ndaj Shqipërisë si ndaj Serbisë. Ai ishte një koncept realpolitik i momentit të atëhershëm, por gjerat ndryshuan më vonë, dhe mbetja te ky koncept është jo historik. Këtu LVV-ja ka ditur të luajë për mrekulli në sentimentin e kosovarëve. Prandaj, nuk e kuptoj këtë koncept të LDK-së, të paktën duhet të jetë më pragmatike dhe të mos ua shuajnë para kohe ëndrrën shumicës së qytetarëve të vet. Por, ata, duke ua shuar ëndrrën kosovarëve, e prenë degën e vetme të shpëtimit, ose ringjalljes së tyre.
2. REAL-POLITIKANI KURTI
Dëshpërimi tjetër, pos deklaratës së ministrit shqiptar Pandeli Majko se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është më aktual (?!), mund të vijë pikërisht nga mbrojtësi më i madh bashkimit, për shkak të realpolitikës së qeverisë së ardhshme kosovare. Mediat përcollën deklaratën e Albin Kurtit në shënimin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, që të ketë thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon bashkimin me Shqipërinë. Edhe pse kjo “është dëshirë e të gjithë shqiptarëve dhe për ta arritur duhet të kalojë ende kohë”. Ai për momentin”Besëlidhjen shqiptare” të kohës së re e shikon në mënyrën si të dilet nga vështirësitë që kanë shqiptarët kudo dhe nga gjendja e rëndë e përgjithshme, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit e progresit, të cilat nuk e lënë asnjëri mbrapa”. Bashkimi? Një kohë tjetër. Ai, megjithatë, angazhohet për një lloj bashkërenditje midis dy shteteve shqiptare në tri fusha kryesore: të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme.
Pak si vonë, ai e zbulon se Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie në nenin 1.1 me nenin 1.3. neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik e neni 1.3 na ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, siç është Shqipëria. Por njëkohësisht paraqet pengesë për integrim të llojit tjetër siç është ai evropian. “Në Kosovë, kur s’kemi ligj për referendum dhe s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë e do të kalojë ca kohë deri të arrijmë në atë pikë, por ajo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë Kurti.
Ndoshta pikërisht këto që i thotë Kurti tash i kanë pasur parasysh të tjerët që nuk i kanë mëshuar shumë atij teli, përveç Ramushit në zgjedhjet e shkurtit, që mendoi se kështu në këto zgjedhje do të fitojë më shumë në këtë kauzë, të cilët në zgjedhje nuk kishte fort ta përdorë Kurti, i cili në atë kartë kishte luajtur më herët. Por, shumëkush tash mund të dalë i dëshpëruar, të cilët mendonin se Kurti shumë kollaj nga fjalët do të kalojë në vepër dhe do ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë!
3. LEGALIZIMI I VETË-MOHIMIT
Një kohë më habisnin televizionet shqiptare, të cilat, sapo të trajtonin ndonjë temë historike, e thërrisnin mohuesin më të madh të qenësisë shqiptare, atë historianin me diploma ndërkombëtare, i cili thoshte se shqiptarët i ka krijuar Austro-Hungaria, që me fjalë të tjera, shqiptarët në perandorinë Osmane nuk kanë qenë shqiptarë, siç bie fjala kanë qenë popuj të tjerë, serbët, bullgarët, rumunët, grekët… Vetëm shqiptarët i paska shpikë Austro-Hungaria! Ja, një historiani të tillë i jepnin hapësirë mediat e Shqipërisë, ndoshta nga një nevojë maniakale për të pasë ndonjë mohues në debat! Nuk e kuptoj, vërtet këtë nevojë… Po nejse. Ky sindromi i mohimit, për motive fetare, nuk është se nuk është i pranishëm te një pjesë e klerit mendjeshkurtër të cilët kanë vetëm një prizm shikimi, por si duket po përhapet edhe te do “mendjehapur” kosovarë, të cilët nuk do të duhej t’i shikonin gjërat ashtu. Prandaj shumë shikues mbetën të habitur nga një polemikë në Televizionin T7, ku për Skënderbeun polemizuan një profesor dhe një ish-student i tij. Ky i dyti, Rron Gjinovci, nuk e di se prej ç’burimi historik, tha se në Kuvendin e Lezhës nuk është folur shqip! Si tezë, mund dhe të qëndrojë, ku të dish, mund që princërit shqiptarë, që kanë qenë shumicë, me princër e bujarë të tjerë ballkanikë joshqiptarë, në gjuhë tjetër.Por Rroni i gjithëdijshëm, profesorit të tij, Blerim Latifi, ia “sqaron” bindshëm dijen që ka për çështje historike: “Kanë folë latinisht, kanë fol spanisht, se ti menon që Skenderbeu ka ditë shqip a”. Është një autor maqedonas, Petar Popovski që këtë “argument” do ta kishte pranuar me të dy duart nga shqiptari Rron Gjinovci, e për Jovan Deretiqin e autorë të tjerë serbë as të mos flasim.
E dini kush është filan-fisteku i përmendur, e dini që ka shkruar ndonjë vepër që të pohojë një gjë të tillë? Mos është ndonjë Oliver Shmit kosovar premtues që pretendon të sjellë fakte të reja nga jeta e Skënderbeut?
Me të drejtë prof.Milazim Krasniqi, i cili pas këtij “debati” do të porositë se Skënderbeu “nuk duhet të jetë temë e injorantëve”. Skënderbeu përfaqëson një fenomen të madh në sintezën e kombit shqiptar dhe se ishte fenomen unik, i cili përveç arbërishtes, fliste edhe gjuhët sllave (serbisht e bullgarisht), pastaj greqishten, osmanishten, persishten, arabishten dhe italishten. “Tjetër çështje është si mund të interpretohen episode nga jeta dhe vepra e tij. Por si fillim duhet të mësohet se kush ishte dhe çka përfaqësonte. Skënderbeu përfaqëson sintezën e kombit shqiptar, që përbëhet nga ortodoksë, muslimanë e katolikë. Pra, duhet të kuptohet se ishte një fenomen unik në historinë tonë. Ky fenomen nuk duhet të jetë temë e injorantëve”, kishte porositur Milazaim Krasniqi.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)