Shkup, 14 korrik – Është ndarë nga jeta gazetari i Radio Shkupit, Mustafa Spahiu. I lindur më 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Gjilanit, Mustafa Spahiu është njëri ndër të paktët gazetar me 41 vjet përvojë pune në Radio Shkupin.
I diplomuar në Fakultetin Filologjik, Katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe në Shkup, Mustafa Spahiu tërë profesionin e gazetarit dhe publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjet me radhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionin më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”. Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Në vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjake, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë. Ishte anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë, si dhe anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë.