Shkup, 10 qershor – Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për Jahi Jahiun, sekretar shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Nga Gjykata Penale thonë se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut për arratisje dhe përsëritje të veprës penale, raporton Alsat, transmeton Koha.mk
Ndryshe, për shkak të marrjes së ryshfetit prej 38 mijë eurove, policia mëngjesin e sotëm kishte arrestuar Jahiun.
Prokuroria dhe MPB-ja dyshojnë se Jahiu bashkë me një punonjës tjetër në këtë dikaster kanë marrë para dhe kanë favorizuar kompaninë “Latanzio” e cila e ka fituar tenderin për të realizuar një projekt të financuar me IPA fonde në vlerë prej më shumë se 1 milion euro, për koordinimin e trajnimeve në administratën publike.
Jahi Jahiu dhe një koleg i tij tre herë kanë udhëtar jashtë vendit. Kompania italiane i ka mbuluar shpenzimet në vlerë prej 7 mijë eurove. Në këmbim, të dyshuarit e kanë informuar kompaninë për procedurat e tenderit. Ata kanë mundësuar pozitë të favorizuar për kompaninë italiane për shërbime këshillëdhënëse “Latanzio” në garën për mbi 1 milionë euro, para evropiane.
Paratë e ryshfetit për Jahiun dhe kolegun e tij në vend janë sjellë tre herë në shuma të gatshme. Italiani me iniciale M.XH i ngarkuar për marrëdhënie me publikun në kompaninë “Latanzio” i ka dorëzuar paratë. Organet e hetuesisë në vend, hetimin e kanë zhvilluar në koordinim me prokurorinë e Milanos nga Italia.
Dyshimet për korrupsion gjatë shpërndarjes së parave evropiane kanë zgjatur dy muaj. Janë përfshirë edhe organizata ndërkombëtare. Hetimi është iniciuar nga OLAF- Shërbimi evropian për parandalimin e mashtrimeve.
Në njoftimin e përbashkët të policisë dhe prokurorisë kujtojnë se Jahi Jahiu në vitin 2005 është ndjekur penalisht edhe për mashtrime zgjedhore, por në vitin 2006 vepra është rikualifikuar dhe Jahiu u dënua vetëm me para. Ndryshe, Jahi Jahiu që nga viti 2011 si kuadër i BDI-së e kryen detyrën e sekretarit shtetëror në Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë. (koha.mk)