LAJMI FUNDIT: Shefqet Demirovski është “spiuni” i arrestuar në Serbi

Të arrestuarit dyshohen për vjedhje të dokumenteve të fshehta teknike në lidhje me prodhimin e municionit të kalibrit 12,7 mm, ndërsa u janë vënë prangat pas hetimeve disamujore për nxjerrjen e informatave konfidenciale nga fabrika e armëve në Uzhicë

Shkup, 12 nëntor – Shefqet Demirovski, pronar i kompanie “ATS Group”, është shtetasi i Maqedonisë i arrestuar mbrëmë në Serbi, nën akuzën “spiunim”, pasi dyshohet të ketë arritur të marrë dokumente sekrete për prodhimin e armëve dhe municionit në fabrikën “Prvi Partizan” në qytezën Uzhicë të Serbisë, shkruan gazeta KOHA.

Bashkë me Demirovskin, në aksionin e përbashkët të shërbimit sekret serb (BIA), atij ushtarak (VBA) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) është arrestuar edhe Borivoje Glisoviq nga Uzhica, njëherësh punëtor i “Prvi Partizan”.

Të dy të arrestuarit dyshohen për vjedhje të dokumenteve të fshehta teknike në lidhje me prodhimin e municionit të kalibrit 12,7 mm, ndërsa u janë vënë prangat pas hetimeve disamujore për nxjerrjen e informatave konfidenciale nga fabrika e armëve në Uzhicë. Bëhet fjalë për dokumente të fshehta në lidhje me prodhimin e municionit për snajperë dhe pushkë antiajrore. Sipas Prokurorisë publike në Beograd, mëngjesin e sotëm janë arrestuar edhe disa persona për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës të personave përgjegjës dhe për zhvatje.

“Janë arrestuar edhe tre punëtorë të fabrikës ‘Prvi Partizan’ nga Uzhica, si dhe Sh. D, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe pronar i firmës ‘Ars Group’ nga Shkupi për keqpërdorim dhe ryshfet. Janë arrestuar ish inxhinieri i ‘Prvi Partizan’ B. G nga Uzhica, N. I nga Pozhega, konstruktor në Repartin për vegla dhe makina në fabrikën ‘Prvi Partizan’ dhe M.M Të dyshuarit janë arrestuar dhe u është shqiptuar paraburgim prej 48 orëve, të cilët më pastaj do të dalin para Prokurorit publik. Ata akuzohen për vepër penale shitje të projekteve dhe dokumenteve tjera që ju takojnë fabrikës ‘Prvi Partizan’ që kanë të bëjnë me prodhimin e armëve dhe municionit”, thonë nga Prokuroria publike, transmeton gazeta KOHA.

Glisoviq, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë, ka kopjuar dokumentet e fshehta tekniko-projektuese për municion të kalibrit 12,7 mm që prodhohet në “Prvi Partizan” dhe këto dokumente ia ka dhënë disa herë Demirovskit.

Ndryshe, Shefqet Demirovski në korrik të këtij viti hapi fabrikën e parë në Vizbeg të Shkupit për prodhimin e jelekëve dhe helmetave mbrojtëse për policinë dhe për ushtrinë, në pjesën e mbrojtjes balistike dhe sigurisë. Pronari i kompanisë “ATS Group”, Demirovski atëkohë tha se ndjehet shumë mirë që pas shumë viteve punë jashtë vendit ka kënaqësinë që të hapë fabrikë në vendlindjen e tij. Madje, ai tha se ky investim kapte vlerën prej 3 milionë eurove dhe kishte gjithsej 80 të punësuar.

Demirovski kishte njoftuar gjithashtu se produktet e kësaj kompanie eksportohen në Evropë, Turqi dhe Katar. Në ndërkohë, për Ministrin e Punëve të Brendshme, ATS group kishte dhuruar pajisje në vlerë prej 50 mijë eurove. (koha.mk)