Shkup, 10 gusht – Të gjendur në një befasi, pas ftesës së liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti për tryezën e përbashkët të partive politike, të gjitha partitë politike thonë se do ti mbledhin organet e partisë për të vendosur për pjesëmarrje ose jo në takim, informon gazeta KOHA.
Të gjitha partitë kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesën e Ahmetit dhe se gjatë ditës do të vendosin për pjesëmarrje. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për gazetën KOHA deklaruan se në orët e pasdites do të mbajnë takim koordinues si koalicion dhe do të bëjnë të ditur qëndrimin e tyre. Në anën tjetër edhe nga Lëvizja BESA dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit për KOHA deklaruan se gjatë ditës do të kumtojnë qëndrimin e tyre zyrtar ndaj ftesës së Ahmetit.
Ndryshe, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, sot ka ftuar publikisht në tryezë të përbashkët, kryetarët e partive shqiptare parlamentare që të realizojnë takim më 13 gusht, datë kur shënohet edhe përvjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.(D.J/koha.mk)