Shkup, 20 tetor – Pjesëmarrësit në takimin e liderëve që sonte u mbajt në vilën “Vodno” me iniciativë të presidentit Stevo Pendarovski, u morën vesh që më 12 prill të vitit 2020 të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Siç kumtoi kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit, liderët arritën koncensus që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm, për çka sipas marrëveshjes të së a.q. Qeveria e Përzhinos, ai do të tërhiqet nga funksioni i kryeministrit më 3 janar, raporton KOHA.
Në takimin te Pendarovski morën pjesë liderët e të dyja partive më të mëdha LSDM dhe VMRO-DPMNE Zoran Zaev dhe Kristian Mickoski, ndërsa nga partitë e shqiptarëve morën pjesë krerët e BDI-së, Ali Ahmeti, të Besës, Bilall Kasami, të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, të Alternativës, Afrim Gashi dhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Paraprakisht, siç informoi presidenti Pendarovski, liderët e pranishëm në takim shfaqën koncensus të qartë se qëndrojnë pas idesë që Republika e Maqedonisë së Veriut sa më shpejtë që është e mundur t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE dhe sa më shpejtë që është e mundur t’i përfundojë negociatat dhe të bëhet anëtare e plotfuqishme e Unionit. (koha.mk)