Një ekip kërkuesish në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts kanë dal në përfundimin se lajmet e rreme shpërndahen më shpejt në Twitter, krahasuar me informacionet e trajtuara me kujdes. Në një studim të postuar në revistën “Science” nënvizohet se, historive të vërteta u duhet 6 herë më shumë të arrijnë te 1.500 persona në Twitter, krahasuar me historitë false, transmeton tch.
Këto të fundit, sipas studimit përhapen më gjerë dhe më shpejt, në mënyrë domethënëse, sesa e vërteta në të gjitha kategoritë e informacionit. Sipas kërkuesve, kjo është shqetësuese dhe rrezikon që ta bëjë shoqërinë të konsumohet nga falsiteti.
Kërkuesit kanë ekzaminuar mijëra lajme të përhapura në Twitter dhe triliona cicërima mes viteve 2006- 2017. Ata janë bazuar në konfirmimin e lajmeve në 6 burime. Ndërsa kërkuesit e kanë kufizuar objektin e studimit në Twitter, ata nënvizojnë se rezultatet e tyre mund të shtrihen edhe në format e tjera të medies sociale.
Një kategori e veçantë lajmesh të rreme, që përhapen më gjerë dhe më shpejt sesa të gjitha lajmet e tjera, sipas kërkuesve është ajo e politikës. Studimi tregoi se lajmet e rreme politike janë më virale se çdo kategori tjetër informacionesh false dhe arrijnë tek 20 mijë persona tri herë më shpejt sesa llojet e tjera të informacionit.
Kërkuesit nënvizojnë se nevojitet një zgjidhje për këtë problem. “Të kuptohet sesi përhapen lajmet e rreme është hapi i parë drejt vendosjes së tyre nën kontroll”, shkruajnë ata në raport. “Ne shpresojmë që puna jonë të frymëzojë kërkime të reja, më të gjera, për shkaqet dhe pasojat e përhapjes së lajmeve të rreme, si dhe për kurat e mundshme”.