Thomas Strakosha do të prezantohet sot në klinikën “Paideia” për të kryer vizitat mjekësore përpara se të niset në grumbullim me skuadrën e Lacios.
Portieri i Kombëtares shqiptare i kishte kërkuar klubit disa ditë më shumë pushim në krahasim me shokët, por tani vjen momenti që të rikthehet në fushë. Ato ditë pushimi e ndihmuan 24-vjeçarin që të riaftësohej nga problemi në tendinën e Akilit, trashëguar nga fundi i sezonit të shkuar.
Por gjatë këtyre javëve pushimi, “Corriere dello Sport” shkruan se gardiani ka ndjekur një program të personalizuar. Në fazën e parë parashikohej pushim absolut, e dyta karakterizohej nga ushtrime specifike për të përmirësuar gjendjen fizike. Ai pritet t’i humbasë ndeshjet e ardhshme miqësore dhe gjatë këtyre ditëve do të stërvitet me program të diferencuar. Por, nuk pritet të ketë probleme për të qenë i gatshëm për nisjen e kampionatit.