LO për të Rinj Dakar 2022 shtyhen për 2026
Senegali dhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) janë pajtuar që Lojërat Olimpike për të Rinj (YOG) Dakar 2022 të shtyhen për në vitin 2026, shkruan Olumpic.org. Ky vendim është ndërmarrë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Propozimi i presidentit Macky Sallit është mirëpritur nga presidenti i IOC-ut, Thomas Bach. Shtyrja e Dakar 2022 e lejon IOC-un, Komitetin Kombëtar Olimpik dhe Federatat Ndërkombëtare që të planifikojnë më mirë aktivitetet e tyre, që janë prekur jashtëzakonisht shumë me shtyrjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020. E në të njëjtën kohë e lejon Senegalin që të vazhdojë përgatitjet për Lojërat Olimpike për të Rinj.
Leclerc pranon krizën
Pas dështimit total të Ferrarit në garën e zhvilluar në Austri pak ditë më parë, makina italiane kërkon të hakmerret në sfidën e radhës. Këtë të diel garohet në Hungari, një pistë e konsideruar e favorshme për “kokëkuqen”, që synon të dalë nga kriza. “Mezi pres të rikthehem në makinë. Garojmë në Hungaroring, një pistë që më pëlqen, pasi është teknike. Por është një pistë ku gabimi të kushton shtrenjtë, sidomos për sa i përket xhiros së shpejtë”, tha Leclerc, që analizon garën e radhës. “E pranoj që vijmë nga një moment i vështirë, ndaj na duhet një shkundje e fortë për të dalë nga kjo situatë. Ndaj, një paraqitje e mirë në Hungari na ndihmon shumë. Garë që vjen në momentin e duhur, për të fituar e kaluar krizën”, tha ferraristi.
Federerit i mungon turniri i “Wimbledon”
Roger Federer pranon se të mos luajë në grand slam të Wimbledon këtë vit e ka mërzitur shumë. Ky është turneu i tij i preferuar, aty ku zvicerani ka triumfuar 8 herë në karrierën e tij, ndërkohë që në total ka fituar 20 grand slam. “E pranoj që Wimbledon më mungon shumë. Për këtë arsye po punoj fort, që të jem aty vitin tjetër. Unë po rikuperoj dhe shpresoj në janar të jem gati. Në Wimbledon kam shumë kujtime dhe dua t’i përjetoj sërish vitin tjetër”, tha zvicerani.
Fury provokon Wilder
Kampioni i botës në peshën e rëndë, boksieri britanik Tyson Fury, ka deklaruar se i është rikthyer palestrës me një qëllim të vetëm, të mposhtë sërish amerikanin Deontay Wilder. Dy boksierët pritet të zhvillojnë në dhjetor sfidën e tretë mes tyre (sfida e parë u mbyll në barazim dhe në të dytën triumfoi Fury). Edhe Wilder është duke u stërvitur dhe rikuperuar pas operacionit, por kohët e fundit ka vendosur të mos japë intervista. “Bronze Bomber, po vij për ty lëpirës”, ka qenë komenti i Fury në rrjetet sociale, duke iu drejtuar boksierit amerikan me nofkën e tij. Gjasat janë që kjo përballje e tretë të zhvillohet më 19 dhjetor, por ende nuk është konfirmuar vendi i saktë. Situata e krijuar nga koronavirus ka lënë ende mjaft dilemë për këtë përballje.