E gjithë Evropa kthen vëmendjen nga Kavani
Klubet evropiane janë vënë në gjendje alarmi për të ardhmen e sulmuesit të PSZH, Edinson Kavani. Napoli, Everton dhe Çellsi janë mes skuadrave që kanë nisur të ndjekin situatën e krijuar, pas sherrit mes uruguaianit dhe shokut të skuadrës Nejmar. Skuadra franceze do të sqarojë situatën në janar 2018, duke parë edhe futbollistë si Lukas Moura, Angel di Maria dhe Julian Draksler që kërkojnë më shumë minuta. Kavani është 30 vjeç dhe merr rreth 10 milionë euro në sezon. Ai mund të ishte zgjidhja e parë e Çellsi dhe ëndrra e Evertonit, teksa vetë lojtari nuk e ka mohuar dëshirën për t’u rikthyer te Napoli. Juventus dhe Interi janë gjithashtu klube që admirojnë uruguaianin, ashtu si Borussia Dortmund që ka nisur të kërkojë një zëvendësues për Pierre Emerik Aubamejang.
Parejo: E mbyll karrierën me Valencian
I kërkuar me insistim nga Barcelona këtë verë, Dani Parejo sqaron njëherë e mirë zërat e merkatos duke i dhënë fund shumë hipotezave. Mesfushori spanjoll bëri të ditur se me ardhjen e Marcelinos te Valencia gjërat kanë ndryshuar dhe se nuk mendon më për merkaton teksa premtoi besnikëri, transmeton Super Sport. 28-vjeçari i cili ka kontratë deri në vitin 2020 deklaroi se dëshiron të qëndrojë për shumë vite të tjera madje pse jo ta mbyllë karrierën si futbollist pikërisht me ekipin për të cilin luan që në vitin 2011.
Largohet nëse nuk fiton trofe
Tim Shervud beson se Harri Kin do të largohet nga Totenhemi, nëse ata nuk arrijnë të fitojnë ndonjë trofe të madh, këtë sezon. Sulmuesi anglez ka qenë impresionues që nga debutimi i tij me ‘Spurs’, duke shënuar 103 gola në 171 paraqitje. Por, edhe përkundër statistikave të tij, 24 vjeçari nuk e ka fituar asnjë titull të madh me Totenhem, dhe sipas ish-menaxherit të tyre, Shervud, kjo mund të bëjë që Kane të kërkojë largimin, në verën e ardhshme. Në dhjetorin e vitit të kaluar, sulmuesi anglez ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën nga “White Hart Lane”, që e mban atë në ekip deri më 2022, dhe ka një pagë prej 120 mijë sterlina në javë.
Barcelona dështoi në transferimin e Grizmanit
Barcelona raportohet se gjatë kësaj vere ka tentuar transferimin e Antoine Grizmanit nga Atletiko Madridi, por oferta prej 130 milionë eurove është refuzuar nga Madridi. Barça dështoi të gjejë zëvendësuesin e Nejmarit, i cili gjatë verës u transferua te PSG-ja për 220 milionë euro. Anësori i Liverpulit, Filipe Kutinjo ishte synimi kryesor i Barçës, por klubi anglez refuzoi shitjen e brazilianit. Sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona tentoi transferimin e sulmuesit francez duke ofruar 130 milionë euro, por kjo ofertë u refuzua nga lojtari dhe klubi.
Reali mendon shitjen e Benzemas tek Arsenali
Real Madridi është duke menduar seriozisht për shitjen e Karim Benzemas tek Arsenali, klub që për një kohë të gjatë ka shprehur interesim për sulmuesin francez. Presidenti i Realit, Florentino Perez dëshiron të largojë nga skuadra lojtarët e vjetër dhe në këtë listë është përfshirë edhe Benzema, i cili mbush 30 vjet në dhjetor të këtij viti. Sipas “Don Balon”, Reali është përgatitur ta shesë Benzeman tek Arsenali për 45 milionë euro dhe llogaritet si zëvendësues ideal për Aleksis Sançezin, i cili pritet të largohet në fund të sezonit.