Pirlo largon dy futbollist
Ardhja e Andrea Pirlos në krye të stolit te skuadra e Juventusit, duket se do të përcillet me shumë ndryshime në fondin e lojtarëve. Trajneri Pirlo ka bërë të ditur tashmë emrat që i dëshiron në skuadër, por edhe ata që do t’i largojë nga aty. Sipas raportimeve të ‘Goal’, Gonzalo Higuain dhe Sami Khedira nuk janë në planet e Pirlos. Skuadra kampione e Serie A ka njoftuar që të dy lojtarët mund të largohen këtë verë. Higuain lidhet me një rikthim të mundshëm në Argjentinë, kurse për Khediran nuk ka asnjë lajm të transferimit.
Guardiola e do Harry Winks në ‘Etihad’
Harry Winks pëlqehet në ‘Etihad Stadium’. Ylli i Tottenham Hotspur, Winks, duket se është në listën e të preferuarve nga Pep Guardiola. Sipas raportimeve të ‘Sun’, Manchester City po e konsideron seriozisht një lëvizje për Winks. Problemi i vetëm me transferimin e anglezit qëndron në atë se City mund të mos jenë gati të ofrojnë 40 milionë funtet e kërkuara për të. Guardiola pëlqen shumë 24 vjeçarin i cili pati telashe me Spurs këtë sezon, por që do të ketë konkurrencë edhe më të madhe pas ardhjes së Hojbjerg te Tottenham. City ka disa opsione për mesfushën, megjithatë Guardiola beson se Winks duhet të shfrytëzojë gjithë potencialin e tij.
Napoli, Chelsea dhe Arsenal në garë për Reguilon
Sergio Reguilon po zgjon vëmendjen e skuadrave të njohura evropiane. Arsenal, Chelsea dhe Napoli janë futur në garë për shërbimet e mbrojtësit spanjoll, Sergio Reguilon. Kartoni i 23 vjeçarit i takon skuadrës së Real Madrid, por ai këtë edicion ka luajtur si i huazuar te skuadra e Sevilla. Meqë nuk bën pjesë në planet e ‘Los Blancos’, lojtari thuhet se është në shitje. Real Madrid janë gati të japin kartonin e tij për një shumë që afrohet me 25 milionë eurot. Mbetet të shihet se cila nga Napoli, Chelsea dhe Arsenal do ta fitojnë garën për lojtarin.
Arsenali e Tottenham në garë për Diawaran
Amadou Diawara ka luajtur sezonin e tij të parë me fanellën e Romës, ku është dalluar në mesfushë. Edhe pse Giallorosët e kishin transferuar atë si një futbollist alternativ, Diawara ka shkëlqyer duke u bërë titullar i padiskutueshëm te Roma. E falë paraqitjeve jashtëzakonisht të mira, mesfushori nga Guinea ka zgjuar interesimin e dy skuadrave të mëdha angleze. Fjala është për dy rivalët e Londrës, Arsenal dhe Tottenham Hotspur që po kërkojnë transferimin e lojtarit. 23-vjeçari që më parë ka luajtur edhe për Bolognën dhe Napolin ndihet i lumtur në Romë dhe Giallorosët nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga ai. Mirëpo, sipas mediave italiane nëse vije një ofertë mbi 40 milionë euro për lojtarin, atëherë te Roma do ta diskutojnë shitjen e tij. Vlen të theksohet se interesim për mesfushorin afrikan ka treguar edhe Milan dhe Atletico Madrid.