Juventusi synon futbollistin e Atletikos
Juventusi është duke insistuar për transferimin e mesfushorit të Atletico Madridit, Thomas Partey, shkruan “Calciomercato”. Atletico mendon ta shesë 27-vjeçarin, por vetëm nëse ofrohen 50 milionë euro. Mirëpo, Juventusi planifikon të ofrojë Federico Bernardeschin apo Douglas Costan në shkëmbim për të reduktuar shifrën e dëmshpërblimit. Ganezi ka kontratë me Atleticon deri në verën e vitit 2023.
Milani me ofertë për mesfushorin e Atalantas
Pas konfirmimit të Stefano Piolit si trajner, Milan ka filluar të mendojë për afrimin e futbollistëve. ‘Calciomercato’ raporton se Milani janë gati të nisin një ofertë për mesfushorin e Atalantës, Matteo Pessina. ‘Rossonerët’ janë duke shpresuar që një ofertë prej 12 milionë eurosh, do të jetë e mjaftueshme për të joshur transferimin e 23 vjeçarit. Pessina sezonin e kaluar ishte i huazuar te Hellas Verona, duke shënuar shtatë gola në 35 paraqitje. 23 vjeçari Pessina gjatë karrierës së tij ka veshur fanellën e Lecce, Catania, Como dhe Spezia.
Matuidi largohet nga Juventusi
Blaise Matuidi edhe zyrtarisht e ka shkëputur kontratën me Juventusin me marrëveshje të dyanshme dhe tani pritet t’i bashkohet klubit të MLS-së, Inter Miami.33-vjeçari iu bashkua Juventusit nga PSG-ja në verën e vitit 2017 për 25 milionë euro. Ai pritet të transferohet te klubi amerikan Inter Miami, i cili drejtohet nga David Beckham. “Mesfushori francez largohet nga Juventusi pas tri vjetësh dhe pesë titujve të fituar në klub. Me ngjyrat tona në shpinën e tij, ai luftoi dhe luajti me zemër në çdo ndeshje. Matudidi i jep lamtumirën Juventusit me marrëveshje të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Juves.
Rodriguez transferohet te Torino
Mbrojtësi i Milanit, Ricardo Rodriguez pritet të kompletojë transferimin te Torino gjatë 24 orëve të ardhshme, në një shumë afër tre milionë euro. Sipas SportItalia, negociatat kanë arritur në një fazë finale duke ndjekur edhe takimet e ditës së sotme mes drejtuesve të skuadrave dhe agjentit të Rodriguez. Torino është pajtuar të rrisë ofertën e tyre nga dy milionë euro në afër tre milionë. Lojtari gjithashtu ka arritur marrëveshje personale dhe dëshiron të punojë me trajnerin Marco Giampalolo, me të cilin kaloi një periudhë të shkurtër te Milan. Rodriguez kaloi muajt e fundit në huazim te PSV në Holandë.