Chelsea ka tri opsione nëse nuk e blen Havertzin
Chelsea është duke e kërkuar me ngulm transferimin e Kai Havertz nga Bayer Leverkuseni në këtë afat kalimtar. Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane dhe ato angleze, ‘Farmacistët’ kërkojnë 100 milionë euro nga shitja e lojtarit. Chelsea nuk po pranon të ofrojë më shumë se 80 milionë euro plus dhjetë milionë në bonuse. Havertz është pajtuar me kushtet e ofruara nga The Blues në një kontratë pesëvjeçare, por akordi mes dy klubeve nuk po arrihet. Në rast se skuadra londineze nuk mund të transferojë mesfushorin gjerman, atëherë kanë tri alternativa të tjera. Marcus Thurma nga Borussia Monchegladbach, Domenico Berardi i Sassuolos dhe Christpoher Baumgartner nga Hoffenheimi.
Mbrojtësi i Monacos rikthehet në Itali
Mbrojtësi polak Kamil Glik rikthehet në Itali, aty ku qëndroi për 6 sezone, fillimisht me fanellën e Barit dhe më pas me atë të Torinos, me të cilën luajti plot 154 ndeshje dhe shënoi edhe 12 gola. Futbollisti 32-vjeçar iu bashkua skuadrës së sapongjitur në Serinë A italiane, Beneventos, me të cilën nënshkroi një kontratë 3-vjeçare. Në katër sezonet e fundit, mbrojtësi polak ka qenë pjesë e francezëve të Monacos, me të cilët ka arritur edhe suksese si titulli kampion në Francë dhe gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Me Glik, Benevento siguron një mbrojtës ekspert jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë, i cili pritet të ndihmojë jo pak në luftën e skuadrës për të mbijetuar mes më të mirëve në kampionatin italian.
Tottenhami transferon mesfushorin danez
Drejtuesit e Tottenhamit kanë nisur punën në merkaton për të përforcuar skuadrën në bazë të kërkesave të trajnerit Jose Mourinho dhe pasditen e sotme kanë zyrtarizuar edhe goditjen e parë. Bëhet fjalë për mesfushorin danez Pierre-Emile Hojbjerg, i cili është transferuar në Londër dhe ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me “Spurs”, ndërsa ka zgjedhur të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 5. Futbollisti 25-vjeçar danez ka qenë pjesë e Southamptonit sezonet e fundit, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndërsa për kartonin e tij Tottenham mësohet se ka shpenzuar rreth 18 milionë euro. I rritur te të rinjtë e Brondby-t në Danimarkë, Hojbjerg ka veshur fanellat e skuadrave të Bayernit të Mynihut, Augsburgut, Schalke 04 dhe së fundi Southamptionit, me të cilën ka luajtur më tepër se 100 ndeshje në Premier League.
Granada do ta blejë kartonin e Gonalons
Klubi spanjoll i Granadës ka vendosur të ushtrojë të drejtën e blerjes për mesfushorin francez Maxime Gonalons, duke paguar 4 milionë euro në arkat e klubit italian të Romës. Këta të fundit transferuan Gonalons në verën e 2017-ës, por pas vetëm një sezoni e dhanë në huazim, pasi francezi nuk ia doli të përshtatet në kampionatin italian. Verën e kaluar 31-vjeçari iu bashkua Granadës, me të cilën luajti 24 ndeshje dhe shënoi vetëm një gol, por këto shifra mjaftuan që spanjollët të binden për cilësitë e tij dhe të paguajnë 4 milionë euro për ta blerë nga Roma.