Lacazette drejt Atletico Madridit
Sulmuesi i Arsenalit, Alexandre Lacazette, pritet t’i bashkohet Atletico Madridit për 33 milionë euro, raporton “Daily Star”. Me Pierre-Emerick Aubameyangut që do të qëndrojë në “Emirates”, francezi do të lejohet të largohet. Klubi londinez është afër arritjes së kontratës së re me Aubameyangun dhe kur kjo të finalizohet, do ta lejojë largimin e Lacazettes. Reprezentuesi francez, i cili ishte transferuar në Londër në vitin 2017, është gati për t’u transferuar diku tjetër në kërkim të më shumë minutave.
Chelsea pas John Stones
Chelsea ka bërë disa lëvizje të mëdha në merkato, duke siguruar shërbimet e emrave si Timo Werner e Hakim Ziyech. ‘Blutë’ po përgatiten për së paku edhe një lëvizje të madhe, me Kai Havertz që prinë në listën e dëshirave. Megjithatë, edhe me këto transferime, telashet nuk do të mbyllen për londinezët, pasi problemet e vërteta të skuadrës qëndrojnë në mbrojtje. Kështu, sipas raportimeve të ‘Mirror’, John Stones është lojtari në radarin e Chelsea. Chelsea ka përgatitur 20 milionë funte për mbrojtësin anglez dhe është gati të hap negociatat me City.
Pirlo kërkon transferimin e dy talenteve
Siç ka bërë të ditur Gazzetta dello Sport, Andrea Pirlo ka dëshira të qarta dhe italiane për Juventusin e tij. Në pritje të mbledhjes së parë zyrtare të merkatos, trajneri i ri bardhezi ka konfirmuar vlerësimin e tij për Sandro Tonalin, shumë afër Interit prej kohësh, dhe yllit të Romas, Nicolo Zaniolo. Këto janë dy ëndrrat e merkatos për trajnerin e ri të bardhezinjve.
Barcelona synon transferimin e Silvas
Një nga lojtarët më të mirë në ‘Etihad Stadium’, Bernardo Silva, mund të përfundojë te skuadra e Barcelonës. Merkatoja e verës e sheh Barcelonën në nevojë për disa intervenime në skuadër dhe në mesin e emrave që pëlqehen është ai i Bernardo. Sipas raportimeve të ‘Telegraph’, Barca do të tentojë transferimin e portugezit Bernardo. Oferta që pritet të niset drejt zyrave të City pritet të përfshijë para plus të shumëkërkuarin nga City, Nelson Semedo. Bernardo ka qenë një pjesë kyçe në sukseset e Pep Guardiola me Man City dhe vështirë se portugezi do të lirohet nga skuadra. Mbetet të shihet se si do të ecin negociatat mes Barcelona dhe Manchester City.