Drogba në garë për kryetar i FFB të Fildishtë
Legjenda e Chelseat, Didier Drogba, është pritur nga mijëra tifozë, derisa ai dorëzoi kandidaturën e tij për t’u bërë kryetar i Federatës së Futbollit të Bregut të Fildishtë, transmeton “Zeri.info”. 42-vjeçari do të garojë me katër kandidatë të tjerë për këtë pozitë. Zgjedhjet për kreun e Federatës do të mbahen më 5 shtator. Ish-sulmuesi i Chelseat shpreson që arritjet e tij gjatë karrierës si futbollist do ta ndihmojnë në zgjedhjen e tij si kryetar i Federatës. Mijëra tifozë ishin mbledhur në rrugë për ta mbështetur idhullin e tyre, duke mbajtur mbishkrime dhe bluza me fytyrën e Drogbas.
Rregulla te reja nga anglezët
Lojtarët që do të kolliten me qëllim drejt kundërshtarëve ose gjyqtarëve do të ndëshkohen me karton të kuq ose të verdhë, sipas rregullave të reja të Federatës Angleze të Futbollit në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Instruksionet ndaj gjyqtarëve që do të marrin drejtimin e ndeshjeve kur masat kundër COVID-19 janë në fuqi do të aplikohen në të gjitha nivelet e ndeshjeve. Federata ka thënë se duhet të ndërmerren veprime kur “gjyqtari është i sigurt që dikush me qëllim dhe nga afërsia ka kollitur në fytyrën e një kundërshtari ose të një zyrtari të ndeshjes”. Ky lloj veprimi do të hyjë në kategorinë e gjuhës ose gjesteve të ashpra, fyese ose abuzive.
Scholes vizitohet nga policia pas organizmit të festës ilegale
Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, është vizituar nga policia për shkak të një feste ilegale në shtëpi në një zonë me krizë nga koronavirusi. Policët shkuan në shtëpinë e tij pasi “The Sun” zbuloi që ai kishte bërë një festë për ditëlindjen e 21-të të djalit të tij, Arron. Secili mysafir do të mund të ishte dënuar me 100 funte mbrëmjen e së premtes në Oldham, derisa vizitat ishte ndaluar në këtë zonë për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Ish-mesfushori anglez dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë festë injoruan rregullat e distancës sociale.
Infantino mbetet në krye të FIFA-s
Gianni Infantino do të mbetet në krye të FIFA-s ndonëse po bëhet një hetim penal ndaj tij. Javën e kaluar, prokurorët në Zvicër kanë nisur procedurë ligjore kundër Infantinos në lidhje për një takim sekret që ka pasur me kryeprokurorin Michael Lauber. Të dy kanë mohuar fajësinë. FIFA ka thënë se takimet kanë qenë rutinore dhe nuk ka ndodhur asnjë gjë kriminale aty. “Nuk ka pasur asgjë dhe nuk ka arsye për të hapur ndonjë hetim. Nuk ka asnjë dëshmi që sugjeron se ka pasur ndonjë gjë kriminale aty”, është thënë nga FIFA. Lauber ka dhënë dorëheqje javën e kaluar pasi gjykata kishte konstatuar se ai ka fshehur takimet dhe se ka gënjyer gjatë hetimit të zyrës së tij në korrupsionin në FIFA. Prokurori special Stefan Keller është emëruar në qershor për t’u marrë me çështjen.