Mata do të largohet nga Manchesteri
Merkatoja e verës me shumë gjasë do ta largojë Juan Matan nga ‘Old Trafford’, me lojtarin që po futet në vitet e fundit të karrierës së tij. Sipas ‘Sansuruz Futbol’, Mata është i vendosur për largimin dhe preferon skuadrën e Fenerbahce. Mbetet të shihet nëse Fenerbahce do të shfrytëzojë situatën e lojtarit dhe të bëjë ofertë formale. Mata te Fenerbahce do të ishte një ndihmë e madhe për sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, pasi spanjolli është asistues i mirë.
Liverpool ka marrëveshje me Thiagon
Tashmë dihet se Thiago Alcantara do të largohet nga Bayern Munich. Tash e disa ditë, lojtari lidhet me një kalim të mundshëm te skuadra e Liverpool, por akoma nuk ka diçka formale. Sipas raportimeve të fundit të ‘Sport’, Liverpool është pajtuar për kushtet personale me lojtarin, transmeton lajmi.net. ‘Reds’ thuhet të jenë në procesin e pajtimit me Bayern Munich, për shumën që duhet paguar për kartonin e lojtarit. Thiago shihet si pjesa që ‘i mungon’ skuadrës së Liverpool në mesfushë. Doza e kreativitetit që spanjolli i ofron kampionëve të Premierligës, mund ta bëjë edhe më të frikshëm Liverpoolin.
Ronaldo me rekord të ri te Juve
Cristiano Ronaldo zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë me Juventusin në derbin ndaj Torinos, e cila u fitua nga bardhezinjtë me rezultatin e thellë 4-1. Portugezi ishte protagonist me gol në këtë sfidë. Ai shënoi për herë të parë me fanellën e Juves një gol nga goditja e dënimit, pas 43 tentativave. Mirëpo me këtë realizim, CR7-ta theu dhe një rekord te bardhezinjtë. 35-vjeçari u bë lojtari i parë i “Zonjës së Vjetër” që nga koha e argjentinasit Omar Sivori (1960/61) që shënon 25 gola në një sezon të vetëm të kampionatit italian. Gjithashtu, Ronaldo u bë lojtari i vetëm në histori që realizon në një sezon të paktën 25 gola në tre kampionate të ndryshme (Premier League me Manchester United, Spanjë me Real Madrid dhe Itali me Juventus).
James larg Madridit
James Rodriguez do të largohet në verë nga Real Madridi, pasi nuk ka mbështetjen e trajnerit Zinedine Zidane. Kolumbiani po luan shumë pak që pas rikthimit nga Bayern Munchen dhe fati nuk ka qenë me të, ai është dëmtuar shpesh. Lojtari po sheh mundësitë që ka për t’u larguar dhe janë disa ekipe që e duan, kryesisht në Angli. Marca shkruan se madrilenët nuk duan ta humbasin me kosto zero sezonin e ardhshëm, prandaj po shohin tregun. Prestigjiozja spanjolle bën me dije se Evertoni, Arsenali, Manchester United dhe Wolves duan shërbimet e futbollistit. Trajneri Carlo Ancelotti kërkon të ribashkohet me lojtarin, ndërsa “Topçinjtë” e shohin si zëvendësin përfekt të Mesut Ozilit. Mbetet për t’u parë se kush do ta bindë!