Sane po kërkohet me ngulm nga Bayerni
Leroy Sane do të largohet nga Manchester City me destinim rikthimin në kampionatin gjerman. Sulmuesi anësor ua ka bërë me dije drejtuesve të klubeve se nuk dëshiron të vazhdojë kontratën me “Qytetarët”, derisa mediat angleze e gjermane përmendin emrin e Bayern Munihut, si opsioni i vetëm për futbollistin. Klubi bavarez ka dërguar ofertën e parë në drejtim të Cityt prej rreth 50 milionë eurosh. Sane ka kontratë me Cityn deri në vitin 2021.
Chelsea ofron 50 milionë euro për Donnarumman
Chelsea është duke planifikuar të përforcohet me një portier gjatë verës, pasi raportohet se trajneri Frank Lampard është i pakënaqur me portierin Kepa Arrizaballaga. Londinezët, sipas mediave në Angli, janë të gatshëm ta transferojnë portierin e Milanit, Gianluigi Donnarumma. “Blutë e Londrës” po ofrojnë 50 milionë euro dëmshpërblim për portierin italian, i cili nuk ka pranuar të vazhdojë kontratën me klubin kuqezi, që i skadon në vitin 2021.
Bailey drejt largimit nga Leverkuseni
Leon Bailey ka kaluar një sezon të vështirë me Bayer Leverkusenin. Mes dëmtimeve, pezullimeve dhe qëndrimit në stol, e ardhmja e sulmuesit xhamajkan është larg “aspirinave” dhe admiruesit e tij më të mëdhenj janë në Premier League. Ekipi është me një këmbë jashtë Championsit, çka mund të sjellë largimin e disa lojtarëve, ku mes tyre pritet të jetë edhe sulmuesi 22-vjeçar, i cili ndiqet nga Man. United, Chelsea dhe Milani. Ndryshe nga vitet e tjera, ku kartoni i tij kishte arritur në 50-60 mln euro, këtë vit klubi gjerman mund të kënaqet me një ofertë prej 30 mln eurosh.
PSG synon të mbajë portierin Rico
Kur dukej se Sergio Rico do të merrte rrugën e rikthimit te Sevilla, planet e Paris Saint Germain për portierin duket se kanë ndryshuar. 26-vjeçari, i huazuar me të drejtë blerjeje për 10 mln euro, po stërvitet për ndeshjet e Championsit, teksa drejtuesit i kanë bërë të ditur vendimin se e duan sërish në skuadër, por duhet të rinegociojnë me Sevillan për koston e kartonit të tij. Pothuajse e njëjta strategji që u ndoq me Icardin, për të cilin u rinegociua çmimi i blerjes dhe u arrit një marrëveshje e re me Interin.