Bayerni heq dorë nga Sane
Bayern Munich duket se ka hequr dorë nga Leroy Sane i Manchester City, pasi tani synon ta transferojë një tjetër sulmues gjerman, yllin e RB Leipzig, Timo Werner. Kampioni gjerman e ka ndjekur Sanen për një kohë të gjatë, por e ka ftohur interesimin për të tani, duke e kthyer vëmendjen kah Werner, i cili ka shpërthyer në sezonin e fundit. Bayerni ka shumë dyshime për gjendjen fizike dhe mentale të Sanes, i cili këtë sezon ka qenë tërë kohën i lënduar. Në të njëjtën kohë, Werner e ka mahnitur Bayernin brenda dhe jashtë fushës. Si rrjedhojë, klubi dëshiron ta blejë atë si një zëvendësues ideal i Robert Lewandowskit në të ardhmen.
Bale s’e ka ndërmend të largohet nga Madridi
Gareth Bale nuk e ka ndërmend të largohet nga Real Madridi dhe do të luftojë për të ardhmen e vet te gjiganti spanjoll. Anësori uellsian ka vendosur t’i lërë anash dallimet me trajnerin e vet Zinedine Zidane dhe të bëjë trysni për të qëndruar në Real Madrid. Edhe këtë sezon, Bale është lënë shpesh në stol dhe në shtëpi nga Zidane, para se futbolli të ndërpritej për shkak të pandemisë globale koronavirus. 30-vjeçari ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2022. Ai ishte shumë pranë largimit drejt Kinës verën e kaluar. Por Bale tani e ka ndarë mendjen për të qëndruar në Madrid deri në përfundim të kontratës, sipas tabloidit Mirror.
Tre skuadra tjera duan shërbimet e Costas
Diego Costa ka vendosur të largohet përfundimisht nga Atletico Madrid gjatë afatit kalimtar veror. Sulmuesi spanjoll është në bisedime me gjigantin italian Roma për një transferim në Olimpico. Por gara për t’i fituar shërbimet e sulmuesit spanjoll është shtuar, pasi janë edhe tre skuadra të tjera që duan shërbimet e tij. Përveç Romës në Serie A, spanjolli është duke u kërkuar edhe nga Napoli, ndërkohë një opsion shumë interesant për Costan është edhe rikthimi në vendlindje tek kampioni në fuqi i Brazilit, Flamengo. Opsion interesant dhe më fitimprurës për sulmuesin është edhe transferimi në kampionatin e Katarit, ku po kërkohet nga Al Rayyan, skuadër e cila mund t’i ofrojë deri në 10 milionë euro pagë vjetore. 31-vjeçari ka kontratë me Atletico Madridin deri në verën e vitit 2021, ndërsa Los Colchoneros duan 30 milionë euro për ta lënë të lirë të largohet.