Juve piketon mbrojtësin e Realit
Ashraf Hakimi është një nga futbollistët që po shkëlqen këtë sezon me fanellën e Borussias së Dortmundit, ku është huazuar nga Reali i Madridit. Mbrojtësi shpreson që në fund të sezonit të rikthehet në Madrid, por vështirë se do të gjejë vend në formacionin e Zidane, pasi në krahun e djathtë të mbrojtjes francezi beson verbërisht Dani Carvajaltit. Për këtë arsye klube të shumta kanë nisur punën për të mundësuar transferimin e Hakimit, ndërsa së fundi në këtë garë është futur edhe Juventusi, që kërkon të marrë pikërisht mbrojtësin verdhezi për korsinë e djathtë. Kartoni i Hakimit vlerësohet rreth 40 milionë euro.
Smalling pëlqehet në Londër
Pas një sezoni mjaft të mirë me fanellën e Romës, mbrojtësi anglez Chris Smalling ka zgjuar interesin e skuadrave të ndryshme, pasi përveç klubit Italian, edhe ekipe të tjera kryesisht në Angli, janë gati të paguajnë për kartonin e tij. Pasi e mori në verë me formulën e huazimit të thjeshtë, Roma po provon të blejë përfundimisht kartonin e mbrojtësit, por klubi verdhekuq e ka të pamundur të paguajë shifrën prej 28 milionë eurosh që kërkon Manchester United. Për t’i “prishur punë” Romës mendon klubi tjetër anglez, Arsenali, që së fundi ka nisur negociatat me drejtuesit e United dhe ka konfirmuar gatishmërinë për të paguar shifrën e kërkuar nga ata për kartonin e Smalling.
Balotelli drejt kampionatit turk
Mario Balotelli pritet t’i japë fund aventurës së tij te Brescia pas vetëm një sezoni, pasi përveç golave të paktë të shënuar, ka kompromentuar tërësisht edhe marrëdhëniet me presidentin Cellino e drejtuesit e tjerë të klubit. Sulmuesi italian iu bashkua “dallëndysheve” këtë verë, por përtej bujës së madhe, arriti të tregojë shumë pak në fushë, duke shënuar vetëm 5 gola në 19 ndeshje. Në marrëveshjen mes palëve thuhet se do të negociohet rinovimi nëse Bresica do t’ia dalë të qëndrojë në Serinë A, por edhe nëse kjo ndodh, Balotelli është i destinuar të largohet, ndërsa Mino Raiola ka nisur kontaktet me klubin turk të Galatasaray.
Interi nuk e blen Sanchezin
Alexis Sanchez iu bashkua Interit me shumë bujë verën e kaluar nga Manchester United si huazim një vjeçar. Inter ka mundësinë ta blej në fund të sezonit kilianin, por duket se kjo gjë nuk do të ndodhë. 31-vjeçari nuk i ka arritur pritshmëritë edhe gjatë një kohe të gjatë mbeti jashtë fushave shkaku i lëndimit. Sanchez ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje në të gjitha garat me Interin ku ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime. Neroazzurët kanë vendosur që mos ta aktivizojnë klauzolën e blerjes përfundimtare, kësisoj Sanchez do të rikthehet te United. E ardhmja e tij duket larg Evropës, pasi skuadrat nga MLS dhe Superliga e Kinës kanë shfaqur interesim. Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që Sanchez të rikthehet edhe në vendlindje me gjigantët kilian që po e duan atë.