Gregoire Defrel është i tepërt te Roma, pasi trajneri Fonseca nuk e sheh francezin si pjesë të skuadrës për sezonin e ri. Gjithsesi, për sulmuesin 28-vjeçar nuk mungojnë ofertat nga klubet e Serisë A, me Sassuolon në krye që synon ta rikthejë aty ku ka shkëlqyer në fushë. Një operacion i tillë pritet të konkretizohet në ditët e fundit të merkatos, pasi Roma kërkon afro 10-12 milionë euro për sulmuesin për të cilin është në garë edhe Sampdoria, ku e pret Di Francesco, me të cilin ka punuar më parë.
Gasperini kërkon edhe një tjetër sulmues për të kompletuar repartin ofensiv, por lojtari qw do tw afrohet duhet të ketë aftësi për të mbuluar disa pozicione në fushë. I tillë është braziliani Luan, i cili pas 5 vitesh te Gremio po bëhet gati për të nisur aventurën e re në Europë, pikërisht me Atalantën, ku do të ketë shansin që të luajë edhe në Champions League. Palët janë në bisedime të avancuara dhe mbyllja e këtij operacioni për 10 milionë euro pritet të zyrtarizohet këtë javë.
Eliminimi në Kupën e Gjermanisë dhe pësimi i 5 golave nga Dortmundi në javën e parë të kampionatit ka vënë në lëvizje drejtuesit e Augsburgut për të përforcuar mbrojtjen. Klubi zyrtarizoi Stephan Lichtsteiner, duke i dhënë ekipit eksperiencën e munguar, teksa mbrojtësi zviceran firmosi për një sezon dhe vjen pas aventurës me Arsenalin në Premier League. Lëvizja tjetër e drejtuesve është Tin Jedvaj, për të cilin kanë bërë një ofertë huazim me të drejtë blerjeje dhe akordi me Leverkusen është shumë pranë.