Garë e ashpër mes Chesleat dhe Juves për Chiesan
Edhe pse merakto është mbyllur, Chelsea sfidon Juventusin përsa i takon kartonit të Federico Chiesas të Fiorentinës. “Blutë e Londrës” janë futur fuqishëm në garë për 20-vjeçarin, i cili kërkohet me ngulm edhe nga bardhezinjtë. Sulmuesi pëlqehet shumë nga trajneri i anglezëve, Maurizio Sarri, i cili është gati të bëjë çmenduri për ta transferuar futbollistin në Premier League që gjatë merkatos së dimrit. Në Janar pritet një “luftë” e fortë mes Chelsea e Juventusit për kartonin e Chiesa.
Gilardino merr oferta nga Seria C
Një sfidë e re i paraqitet Alberto Gilardinos. Sipas mediave italiane, për 36-vjeçarin, i cili ka mbetur pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Spezian, kanë shfaqur interes dy skuadra të Serisë C italiane, Piacenza dhe Pro Piacenza. Pikërisht drejtuesit e Pro Piacenzas janë gati t’i ofrojnë ish-lojtarit të Milanit dhe Fiorentinës një kontratë 2-vjeçare dhe një pagë prej 200 mijë eurosh në sezon. Gjithsesi, për momentin, sulmuesi nuk ka marrë asnjë vendim për të ardhmen e tij, pasi nuk përjashtohet as mundësia e tërheqjes nga futbolli.
Ventura në kërkim të një ekipi
“Kam vetëm një dëshirë të madhe, të rimarr atë që m’u mor, 30 vjet futboll”. Me këto fjalë, ish-trajneri i kombëtares italiane, Giampiero Ventura, pohoi dëshirën për t’u rikthyer në drejtim të një skuadre. 70-vjeçari kërkon të hedhë pas krahëve periudhën e keqe nën drejtimin e Italisë dhe të rinisë një aventurë të re në krye të ndonjë ekipi. Ventura deklaroi se, nëse më parë ekzistonte dëshira për të drejtuar një skuadër, tani kjo dëshirë është edhe më e madhe. Ai theksoi se është në pritje të një mundësie për t’u rikthyer të bëjë atë që dëshiron, pra të rikthehet në botën e futbollit.
Bailly drejt largimit nga Unitedi
Eric Bailly mund t’i japë lamtumirën Manchester United gjatë merkatos së Janarit. Mbrojtësi nuk i ka aspak mirë marrëdhëniet me trajnerin Jose Mourinho, i cili e ka lënë në stol 24-vjeçarin, duke preferuar Lindelof në vend të tij. Për momentin, drejtuesit e “Djave të Kuq” nuk kanë përcaktuar një çmim për futbollistin, i cili në vitin 2016 u kushtoi arkave të klubit anglez shumën e 38 milionë eurove. Pavarësisht kësaj, për lojtarin nga Bregu i Fildishtë nuk mungojnë ofertat. Tottenhami e Arsenali janë gati ta rrëmbejnë mbrojtësin, kontrata e të cilit me Manchester United skadon në 2020.