Barella, “ylli” i Cagliarit pëlqehet nga Milani
Nicolo Barella ishte i vëzhguari special në sfidën që Cagliari zhvilloi ndaj Milanit. Ishin pikërisht drejtuesit e klubit kuqezi ata të cilët ndoqën nga afër talentin 21-vjeçar. Mesfushori, i cili trondtiti shtyllën gjatë minutave të para të sfidës, është një nga objektivët kryesorë të Milanit, dhe jo vetëm, për merkaton e Janarit. Dëshira e futbollistit është të luajë në Premier League, por ai nuk i mbyll derën asnjë pretendenti, duke deklaruar se si klubi nga Millanello edhe ekipet e tjera i kanë të gjitha mundësit për të nisur bisedimet me drejtuesit e Cagliarit, që zotëron edhe kartonin e tij.
Tronditet pozita e Filippo Inzaghit
Humbja me rezultatin 0-1 ndaj Genoas trondit jo pak pozitat e Filippo Inzaghit në krye të skuadrës së Bolognës. Pas katër javësh kampionat ekipi i drejtuar nga 45-vjeçari renditet në vendin e 18-të, me vetëm 1 pikë të grumbulluar. Kandidatët për të zëvendësuar Inzaghin nuk mungojnë dhe një ndër alternativat është pikërisht ish-trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, i cili, momentalisht, është pa skuadër. 61-vjeçari ka shprehur shpeshherë dëshirën e rikthimit në drejtimin e një ekipi. Prandelli pohoi se është në kërkim të një presidenti dhe një drejtori sportiv që janë gati të ndjekin një projekt teknik.
Telenovela “Ramsey”, Milani pret ta marrë uellsianin në janar
E ardhmja e Aaron Ramsey rivihet sërish në diskutim te Arsenali. Me një largim të mundshëm të shefit ekzekutiv të “Topçinjve”, Ivan Gazidis drejt Milanit, në Serinë A mund të zbarkojë edhe mesfushori. Sipas raportimeve nga “The Sun”, pavarësisht se drejtuesit e klubit anglez kanë arritur marrëveshjen me 27-vjeçarin për rinovimin e kontratës për 5 vjet, nga e cila futbollisti do të përfitojë 280 mijë euro në javë, gjërat pritet të ndryshojnë. Nëse 54-vjeçari pranon ofertën e kuqezinjve, me shumë mundësi në janar Ramsey do të vihet nën urdhrat e Gatussos.
Malcom gati për PSV-në në Champions
Lajme të mira nga infermieria për trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde, i cili rikuperon në kohë Malcom. 21-vjeçari do të jetë në dispozicion të skuadrës për sfidën e parë të Champions League kundër PSV Eindhoven, që do të zhvillohet këtë të martë në “Camp Nou”. Ish-futbollisti i Bordeaux, i cili kishte probleme me kaviljen që nga 3 shtatori, tashmë është rikuperuar plotësisht. Braziliani është vënë mënjëherë nën urdhrat e trajnerit duke zhvilluar edhe stërvitjen e plotë me grupin.