Chelsea mendon rinovimin për David Luiz
David Luiz nuk heziton të përsërisë që ndihet tashmë i lumtur te Chelsea nën drejtimin e Maurizio Sarrit. Mbrojtësi brazilian lavdëron trajnerin italian për lojën spektakolare dhe rezultatet që po merr por ndërkohë kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni. Drejtuesit mendojnë se braziliani meriton të qëndrojë me “Blutë e Londrës” pasi me Sarrin është rikthyer në nivelet e larta dhe janë gati t’i ofrojnë 2 vite të tjera me një pagë prej 125 mijë paund në javë. Çështja e Firmës nuk pritet të ketë pengesa pasi kjo është dëshira e të dyja palëve.
Papu Gomez sqaron të ardhmen e tij
Papu Gomez sqaron njëherë e mirë zërat rreth të ardhmes së tij. Kapiteni i Atalantës bëri të ditur se çdo vit ka spekulime për largimin nga bergamaskët por gjithmonë ka qenë i qartë se transferimi i tij do të ndodhte vetëm për një ekip të madh. Ai u shpreh se për një aventurë të re dhe për të lëvizur familjen e tij nevojitet një klub i madh i cili duhet të kënaq edhe kërkesat e Atalantës. 30-vjeçari ka kontratë deri në 2022 me klubin dhe këtë verë u përfol si pasuesi i mundshëm i Felipe Anderson te Lazio.
Pavon në orbitën e PSG!
Për shkak të fair play-financiar, merkato e Paris Saint Germain ishte e heshtur këtë verë ndryshe nga vitet e mëparshme por drejtuesit nuk do të ndalen. Objektivi i radhës për kampionët e Francës është Cristian Pavon, talenti i Boca Juniors dhe e ardhmja e Argjentinës. Mësohet se kontaktet mes klubeve kanë nisur për të arritur akordin për sulmuesin polivalent 22-vjeçar i cili për momentin vlerësohet 25 milion euro ndërsa ka kontratë deri në 2022 me Boca Juniors. Pavon do të ishte plotësonte repartin e avancuar te parizienët pas shitjes përfundimtare të Guedes te Valencia.
Guardiola “piketon” dy talentet e Lyon
Lucas Tousart dhe Tanguy Ndombele dy nga xhevahirët e Lyon për të cilët klubi ktheu mbrapsht oferta të rëndësishme këtë verë. Dy mesfushorët e rinj francezë kanë përfunduar në radarët e Manchester City me Guardiolën që kërkon lojtarë të ngjashëm me karaktreristikat e tyre. Dy ndeshjet në grup që do të luajnë ekipet në Champions League do t’i shërbejnë trajnerit spanjoll edhe që t’i vëzhgojë me synimin që në janar të ketë mesfushorin e qendrës të dëshiruar prej kohësh në skuadër.