Crystal Palace i hap sërish dyert Loftus-Cheek
Nëse Ruben Loftus-Cheek do të largohej nga Chelsea në muajin janar, ai do të ishte i mirëpritur te Crystal Palace. Kështu ka deklaruar trajneri i “Shqiponjave”, Roy Hodgson i cili i ka hapur dyert një rikthimi të mundshëm të mesfushorit të talentuar anglez. Loftus-Cheek luajti sezonin e kaluar i huazuar te Crystal Palace, ndërkohë që gjatë merkatos së verës, ‘Blutë e Londrës’ refuzuan shumë oferta për huazimin e tij. Në nisjen e këtij sezoni hapësirat në formacionin e Sarrit kanë qenë të pakta për 22-vjeçarin, ndaj dhe një huazim në muajin janar shikohet si një opsion i mirë.
Sporting mposht Wolves-in për Patricion!
Mediat portugeze shkruajnë se Wolverhampton ka rënë dakord që t’i paguajë Sporting Lisbonës 18 milionë euro për portierin Rui Patricio, i cili u transferua në Angli gjatë verës. 30-vjeçari u bashkua me skuadrën e ngjitur këtë sezon në Premier League si një lojtar i lirë, pasi zgjidhi kontratën me Sporting për shkak të problemeve që kaloi klubi, por portugezët e cilësuan këtë lëvizje si të paligjshme duke kërcënuar se do ta çonin çështjen në FIFA. Një veprim i tillë duket se ka ndikuar tek anglezët, që tashmë do të derdhin në arkat e klubit nga Lisbona 18 milionë euro për portierin e kombëtares së Portugalisë.
Arsenali do talentin e Lille
Arsenal po ndjek me interes progresin e sulmuesit të Lille Nicolas Pepe, për të cilin pritet të bëjë një ofertë me hapjen e merkatos së janarit. 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë i ka bërë një nisje të mirë sezonit, duke shënuar 1 gol dhe duke dhënë 3 asist. Gjatë merkatos së verës, për sulmuesin shprehu interes edhe Schalke e cila ofroi 20 milionë euro, por kjo shifër u refuzua nga drejtuesit e klubit francez.