Çellsi refuzon Realin për yllin belg
Nuk është vetëm Alisson, mes portierëve të monitoruar nga Real Madrid për sezonin e ardhshëm. Klubi i Florentino Perez ka provuar të marrë portierin e Çellsit, Thibaut Kourtoa. Sipas “Sky Sports”, në fakt, madrilenët i kanë ofruar 40 milionë euro londinezëve për të siguruar belgun. Përgjigjja e londinezëve ka qenë e menjëhershme dhe negative. Madrilenët, që e konsiderojnë të lartë kërkesën e Romës prej 70 milionë eurosh, po studiojnë alternativa të tjera.
100 milionë euro për një mesfushor
Paris Sen-Zhermen këmbëngul për N’Golo Kante. Klubi francez, sipas “Daily Mail”, është gati të ofrojë 100 mln euro për të marrë mesfushorin e Çellsit. Gjithsesi, para se të bëjë një sakrificë të tillë ekonomike, do të duhet të shesë disa nga yjet që ka në ekip. Havier Pastore, Anger di Maria dhe Julian Draksler janë emrat më të përfolur për t’u larguar nga kryeqyteti francez.
Reina thërret Kallehonin te Milani
Pepe Reina është larguar nga Napoli pasi i përfundoi kontrata dhe ka zgjedhur të vazhdojë karrierën tek Milani. Dhe tani ai kërkon që t’i bashkohet edhe Kallehon. Sipas “Corriere dello Sport”, Reina kërkon të bindë Kallehonin të bëhet edhe ai pjesë e projektit të Milanit. Thashethemet që sugjerojnë se Xhennaro Gattuso ka muaj që interesohet për Kallehon sa vijnë e rriten. Me largimin e Maurizio Sarri dhe mbërritjen e Karlo Ançelotit, pritet të ketë ndryshime taktike. Kallehon është 31 vjeç dhe ka një kontratë deri në qershor të 2020 me Napolin. Këtë sezon ai ka shënuar 12 gola dhe 17 asistime në 50 ndeshje kompetitive për Napolin.