Beloti kërkon largimin nga Torino
Andrea Belotti nuk është më i kënaqur te Torino. Edhe pse pak ditë më parë ishte vetë lojtari ai që hodhi poshtë zërat se marrëdhënia e tij me presidentin Kairo nuk është e mirë, mediat italiane shkruajnë se e vërteta është krejt ndryshe. 24-vjeçari është në dyshim për qëndrimin e tij te skuadra “Granata”, teksa dhe Milani ka shfaqur interes për afrimin e lojtarit. Klubi kuqezi po harton një plan për ta marrë në merkaton e verës sulmuesin italian.
Rodrigez zëvendësues i Kutinjos?
Liverpuli është një nga skuadrat që ka shfaqur interes për të firmosur me sulmuesin e Bajern Munih, Hames Rodrigez. Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle të cilat theksojnë faktin se kolumbianit i kanë mbetur edhe 2 vite huazim te bavarezët që e morën nga Reali i Madridit. Trajneri gjerman e dëshiron 26-vjeçarin te “The Reds” duke e parë dhe si një zëvendësues shumë të mirë të Kutinjos, që firmosi me Barcelonën.
Mediat e çojnë Pastoren te Interi
Havier Pastore nuk është grumbulluar sërish nga trajneri i PSZH-së, Unaj Emery, për sfidën me Dijonin, duke e bërë thuajse të sigurt largimin e tij nga kryeqyteti francez. Argjentinasi, bashkë më Kavanin u rikthyen me vonesë nga pushimet e vitit të ri dhe u lanë jashtë në ndeshjen e Kupës së Francës, por duket se për sulmuesin uruguaian ka përfunduar dënimi, ndërsa për fantazistin argjentinas ende jo. Mediat franceze raportojnë se Pastore është me valixhet gati, ndërsa thonë se destinacioni më i mundshëm është Seria A, ku e pret Interi i Spaletit. Zikaltrit janë të vetmit që kanë shfaqur interes konkret për të dhe mbrëmjen e të hënës pati edhe një darkë mes menaxherit të Pastores dhe drejtorit sportiv të Interit, Piero Ausilio.
Reali refuzon të nënshkruajë me Ibran
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka refuzuar të nënshkruajë me Zlatan Ibrahimoviçin në këtë muaj. Agjenti i sulmuesit, Mino Raiola, ua ka ofruar suedezin klubit të Real Madridit, sipas “El Mundo Deportivos”. Por mësohet se Perez e ka refuzuar ofertën, pasi ai nuk dëshiron të punojë me agjentin Raiola. Po ashtu edhe stafi i trajnerëve nuk e ka dashur që ta ofrojë në klubin, pasi nuk mendojnë se do të ishte e mirë për atmosferën në dhomat e zhveshjes.